Zëvendësministri i Drejtësisë, Toni Gogu e cilësoi sot buxhetin 2019 si buxhet të konsoliduar, ndërsa ishte i pranishëm në Komisionin e Ligjeve. Rritja buxhetore për vitin 2019 në krahasim me vitin 2018 është 17%. “Në vitin 2019, puna më e madhe është ajo për jetësimin e reformës në Drejtësi”, tha Gogu.
“Buxheti konsolidon përparësitë e qeverisë. Ka investim serioz në pagat e magjistratëve dhe për njerëzit e sistemit të drejtësisë, jetësimin e ndihmës juridike. Sjell reformimin e sistemit penitenciar, ku oficerët e burgjeve duket që do të kenë shpërblim financiar të denjë. Përmes këtij pr/buxheti adresojmë çështjen e mbipopullimit në burgje”, tha Gogu
Deputeti i PS-së Bashkim Fino, edhe relator i pr/Buxhetit, tha se projekt buxheti ka rritje të konsiderueshme. “Ka mbështetje financiare për reformën në drejtësi. Policia burgjeve do të ketë rritje pagash në vitin 2019. Policia burgjeve do të ketë 7% rritje pagash”, tha Fino. “Probleme te ministria e Drejtësisë mbeten investimet, sidomos burgjet. Këtë vit ka investime, 1 miliard lekë”, tha Fino.
“Për reformën në sistemin e burgjeve kemi nevojë për rritje buxheti. Janë dy qendra që Kodi Penal na detyron të ngremë. Tek pronat jemi fokusuar tek kompensimi financiar i shpronësimeve”, tha zv.ministri Gogu.
Deputeti Fino u shpreh se “çdo ministri kërkon më shumë në buxhet. Por për ministrinë e Drejtësisë është buxhet i ekuilibruar, në funksion të zbatimit të reformës në drejtësi. Në prill do nisë rritja e pagave për policinë e burgjeve”, tha Fino.ATSH