Tabaku shprehet se Rama flet për të tilla projekte qesharake e tallëse, ndërsa shqiptarët nga ana tjetër janë goditur keq nga kriza, deri aty sa rrezikohet edhe konsumi.
“Ideja e Ramës për legalizim kanabisi mjekësor është tallje. Të mos përdoret formula e 2016. Ne e kemi thënë se kjo krizë po e prek turizmin. Kjo krizë po prek konsumin. Kjo si rezultat i varfërisë. Edhe taksat janë rritur e kjo ka bërë që shqiptarët të bëhen më të varfër.
Rritja ekonomike është vetëm në imagjinatën e Edi Ramës dhe qeverisë së tij. PD ka dalë në terren dhe ka takuar biznesmenë e sipërmarrës. S’po flasim për biznese miliona euro, por për sipërmarrje normale që janë palca e ekonomisë. Fatkeqësisht ndikimi i krizës do të vijojë”, tha Tabaku.
Më tej, Tabaku nënvizoi se turizmi është dëmtuar rëndë, kurse ka shtuar se PD ka vënë theksin në ruajtjen e vendeve të punës, pasi qytetarët kanë humbur edhe punën.
“Turizmi është lënë në mëshirë të fatit. Turizmi duhet të ishte stimiluar, duke pasur parasysh se janë rreth 93 mijë punonjës që punojnë në këtë sektor. Nuk mund t’ju themi operatorëve turistikë që ik merr kredi pa ditur si do të shlyhen këto kredi. PD e ka vënë theksin në ruajtjen e vendeve të punës”, u shpreh Tabaku.