‘Ju tregova gazetarëve histori filmash, ja si qëndron e vërteta’, flet i riu shqiptar,si e pesoi në Angli

Selamet Mehmetaj, i riu shqiptar që pak ditë më parë ishte në faqen kryesore të britanikes “Daily Mail”, ku tregonte për median se si funksionte tregtia e kanabisit në Britani dhe sesi ai e kishte mbushur Anglinë me drogë dhe “shtëpi bari”.

28 vjeçari tregonte se si çdo muaj ai furnizonte tregtarët në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar me 2,500 bimë kanabis dhe mbledhte sytha për t’i shitur.

Mirëpo, disa ditë pas lajmit Selamet Mehmetaj ka reaguar përsëri duke thënë se gjithë historia që u ka treguar gazetarëve anglezë ka qenë e sajuar. Histori filmash e ka quajtur ai, duke shpjeguar dhe përse kishte vendosur kështu.

Selamet Mehmetaj: Kjo ka dalë nga kamera e fshehtë e “Daily Mail”. Por të vërtetën do ta sqaroj tani. Nuk ka të bëjë me “Baron Droge”. Ajo ka qenë një kamera e fshehtë, që unë e dija se po më xhironin dhe i dhashë një histori që donte ai.

Ester Bylyku: Pjesa e kamerës së fshehtë, që bëri shumë bujë, si ndodhi ajo?

Selamet Mehmetaj: Kur u takova me atë personin, ai ishte gazetar, vura re se kishte një triko me pulla , dhe e pashë që kishte kamerën e fshehur, dhe kur u ktheva nga krahu i majtë, pashë dhe një person tjetër që po më filmonte.Unë thjesht nuk ia vura re, i dhashë atë që ai donte të merrte nga unë. I thashë një super shaka të paparë, që asnjë nga ato nuk janë të vërteta.

Në vazhdim të intervistës për RTV Ora, Selamet Mehmetaj tregon dhe historinë e personit që tha se rrëmbeu dhe i preu dy gishta.

Ester Bylyku: Në kamerën e fshehtë ke thënë se një personi i ke prerë dy gishta, si është e vërteta?

Selamet Mehmetaj: Unë atë histori e kam thënë për t`i bërë qejfin atij (gazetarit). Ta lija atë të kuptonte që: ok, i nxora një gjë këtij djali, se ai këtë donte, të kapte një shkak dhe ta raportonte te “Daily Mail” për t`ia shkatërruar jetë një personi që nuk ka fare lidhje me drogën, dhe me asgjë. Normal, jam nxituar pak. E pashë që po më filmonte, dhe thashë: Ok, t`ia bëj një histori.

Ester Bylyku: Gjithashtu, ke pohuar dhe ke folur me detaje për trafik të lëndëve narkotike, këtë si e komenton? Si është e vërteta?

Selamet Mehmetaj: Po, e vërtetë që i kam dhënë disa detaje. Është një pjesë e një filmi që e ndjek dhe më pëlqen dhe thjesht më erdhi në mend në atë moment. I kam treguar çdo detaj të një filmi që ekziston dhe ia kam thënë atij. Filmi që unë po flas në atë video është “Sharra”.

Loading...