Shqipëria është shtrenjtuar më shumë se çdo vend tjetër për pushime vjetore në det, por akoma është më e lira. Për fat të keq, rritjen e madhe të çmimeve në Shqipëri, më së shumti për shkak të rritjes së lekut, nuk e ka përcjellë rritja e kualitetit. Në Shqipëri ka shumë përparim në infrastrukturën rrugore, mbledhje mbeturinash, ndërtim të restoranteve dhe hoteleve. Por ndërkohë, janë rritur çmimet, zvogëluar porcionet dhe janë dobësuar shërbimet. Para se të mendojë për “turizëm elitar”, Shqipëria duhet të sigurojë kushte dhe shërbime për turizëm mesatar.
Nga Agustin Palokaj
Njerëzit kursejnë gjatë vitit për të shkuar në pushime e nuk shkojnë në pushime për të kursyer. Ka kaluar koha kur shumë njerëz, sidomos nga perëndimi, ka shkuar për pushime në vendet ku çmimet ishin aq të lira saqë ata edhe pushonin edhe kursenin. Të tilla kanë qenë para shumë vjetësh Portugalia dhe Spanja, më vonë Kroacia e së fundi edhe Shqipëria. Në Gjermani, Itali e disa vende tjera merrnin edhe pushim pa pagesë për të qëndruar më gjatë në det. Sepse edhe kënaqeshin dhe u dilte më lirë. Jo shumë kohë më herët edhe nga Kosova kanë ditur të shkojnë në Shqipëri në det, sepse ishte më lirë sesa në vendin e tyre.
Turistët nga perëndimi duhet ta kuptojnë se edhe globalizmi ka bërë që dallimet të zvogëlohen deri në zhdukje. Në shumicën e vendeve të bregdetit e Kroacisë, sot çmimet nëpër lokale janë pothuajse të njëjta sikur në Berlin, Vjenë apo Bruksel. Në disa vende si Dubrovniku, Rovinji apo Hvari edhe më të larta. Mediat në Gjermani janë mbushur këtë verë me raporte se sa shumë është shtrenjtuar Kroacia. E zyrtarë të Bashkësisë Turistike të Kroacisë si argument mbrojtës kanë marrë faktin se „nuk është më lirë as në Itali“. Por, sado i bukur të jetë deti kroat, shumë njerëz për të njëjtin çmim do të shkonin ndoshta më parë në Itali sesa në Kroaci. Sidomos duke pasur parasysh se pak ka evropianë sot që nuk kanë qenë së paku një herë në pushime në Kroaci.
Rritja e madhe e çmimeve në Kroaci këtë vit ishte thjesht një arrogancë e nikoqirëve të nxitur nga rritja e madhe e numrit të turistëve në vitin 2022. Edhe këtë vit, numri i turistëve është shumë i madh, ndonëse në pikun e sezonit raportohet se në disa vende ka më pak turistë. Në total pritet që Kroacia, përkundër çmimeve të rritura, do të ketë rritje të vogël të numrit të turistëve, e rritje pak më të madhe të të ardhurave nga turizmi që përbën diku rreth 20 për qind të bruto-prodhimit vendor. Por ajo që është krejtësisht e pavërtetë është se çmimet në Kroaci janë rritur, për shkak se ky vend nga 1 janari i këtij viti ka hyrë në eurozonë. Pra, vendosjes së euros si valutë në Kroaci i lihet faji për shtrenjtime. Është shumë e pavërtetë. Po të mos kishte euro, Kroacia sot do të ishte edhe më e shtrenjtë sesa që është. Vitin e kaluar vetëm në këmbimin e euros me kunën kroate turistët humbnin së paku 10 për qind.
Ja Shqipëria si shembull se pikërisht për shkak se nuk e ka euron si valutë janë rritur çmimet në mënyrë drastike. Në Vlorë dhe në shumë vende të tjera përshtypja është se çmimet në lokale janë të njëjta sikur vitin e kaluar. Por përderisa një kafe 80 lekë vitin e kaluar ishte 60 centë sot është 80 centë. Një Birrë Korça prej 200 lekësh sot është 2 euro e vitin e shkuar ishte 1 euro e gjysmë. Një euro vitin e shkuar në verë ishte 124 lekë e sot është pak mbi 100 lekë, nëse ke fat. Por nëse tërheq lekë nga bankomatët nga kartelat nga Evropa për 100 euro nuk do të merrni më shumë se 9000 lekë. Rreth 105 është kursi, ndërsa bankat marrin një përqindje të madhe për transaksion. Nuk ka asnjë shkaktar më të fortë të rritjes së çmimeve në Shqipëri sesa forcimi i lekut ndaj euros.
Kjo megjithatë, nuk vlen për të gjitha vendet në Shqipëri sepse ka vende ku “përfitojnë nga rasti“ dhe ngritin çmimet. Sidomos ato të akomodimit në hotele apo dhoma private. Dhe si dikur në Itali e Spanjë, pastaj në Kroaci ashtu edhe sot në Shqipëri vlen kriteri i kërkesës dhe ofertës për caktimin e çmimeve. Përgjigjja në pyetjen „deri kur kështu do të rriten çmimet ka përgjigjen e thjeshtë: derisa të ketë njerëz që do të paguajnë. E ka të tillë, prandaj edhe çmimet janë të tilla. Nuk duhet llogaritur më në mirësjellje të nikoqirëve ndaj mysafirëve. Naive është të besohet në parullat që përmenden nëpër fletushka të promovimit të ndonjë destinacioni turistik që thonë se “aty mbi të gjitha i presin mikpritësit bujarë!“.
:osovarët duhet të mësohen se nuk mund të kërkojnë që në Shqipëri në bregdet të paguajnë më lirë sesa që paguajnë në qytetet e Kosovës për një kafe apo birrë.
Shqipëria është shtrenjtuar më shumë se çdo vend tjetër për pushime vjetore në det, por akoma është më e lira. Për fat të keq rritjen e madhe të çmimeve në Shqipëri, më së shumti për shkak të rritjes së lekut, nuk e ka përcjellë rritja e kualitetit. Në Shqipëri ka shumë përparim në infrastrukturën rrugore, mbledhje mbeturinash, ndërtim të restoranteve dhe hoteleve. Por ndërkohë, janë rritur çmimet, zvogëluar porcionet dhe janë dobësuar shërbimet. Para se të mendojë për “turizëm elitar”, Shqipëria duhet të sigurojë kushte dhe shërbime për turizëm mesatar. Nuk do të ishte ekzagjerim, nëse thuhet se nuk ka vend ku shërbimet nëpër lokale janë në nivel aq të ulët sa në Shqipëri. Ka humbur gradualisht mikpritja tradicionale, ndërkohë që nuk është rritur përvoja profesionale.
Gjithçka në Shqipëri viteve të fundit arsyetohet me largimin e fuqisë punëtore nga vendi. Dhe nëpër lokale punojnë kamerierë shumë të rinj ndoshta edhe të mitur. Por nëse në Dhërmi një ushqim apo pije kushton sa në Gjermani apo Austri pse ai pronar i lokalit që shet me ato çmime nuk e paguan edhe punëtorin si në perëndim. Edhe në tregun e punës duhet të vlejë kriteri i kërkesës dhe ofertës. Dhe kjo do të ndodhë, siç ka ndodhur në Kroaci, ku sot rrogat në sektorin e turizmit, sidomos gjatë sezonit, janë të përafërta me ato në Gjermani. Sepse Kroacisë në këtë sektor i mungojnë rreth 100 mijë punëtorë. Përderisa Shqipëria po investon shumë në infrastrukturë, më shumë se cilido vend tjetër i rajonit, duhet paralelisht në investojë edhe në njerëz, sepse nga ta më së shumti do të varet e ardhmja e turizmit.
Nuk duket reale shifrat për mbi 7 milionë turistë të huaj që e kanë vizituar Shqipërinë vitin e kaluar, ndërsa 30 për qind më shumë këtë vit. Nuk dihet se si janë numëruar ata. Por përshtypja nga bregdeti i Shqipërisë është se të huajt janë pakicë. Vërtet sheh në Shqipëri shumë vetura me targa Italiane, gjermane e zvicerane, por shumë prej tyre janë shqiptarë. Sheh familje që në restorante flasin gjermanisht apo italisht, por kur vjen kamerieri, porosinë e bëjnë në shqip. Ardhja masive e turistëve të huaj, që nuk janë vetëm nga Kosova e Maqedonia, apo me prejardhje shqiptare, është një synim, por Shqipëria duhet të përgatitet për atë moment. Sepse me shërbimet e sotme, nëse nuk përmirësohen, Shqipëria do të mbetet për turistët si vend ku kualiteti kryesor janë dielli, deti dhe rëra.
Të huajt e kuptojnë se nëse në Shqipëri një litër benzinë kushton sa në Gjermani, nuk mund të mbeten shumë të lira gjërat e tjera. Ata janë të vetëdijshëm se ka kaluar koha e pushimeve të lira në det. Por do të kërkojnë më shumë kualitet për çmimin që do ta paguajnë.