Kalaja e Krujës do të pushtohet nga muzika rock dhe alternative nga grupet më të kërkuara të momentit gjatë fundjavës. “Rock the Castle 2019” vjen në edicionin e tij të dytë pas zhvillimit me sukses vitin e kaluar, ku grupe muzikore dhe DJ të ndryshëm realizuan për herë të parë një event muzikor të përmasave të mëdha brenda Kalasë së Krujës.
Ky festival vitin e kaluar tërhoqi vëmendjen e qindra turistëve vendas dhe të huaj. Edhe këtë vit synohet që me realizimin e tij të konsolidohet si një traditë e cila do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Këtë edicion do të ketë të ftuar më shumë grupe muzikore dhe axhendë më të pasur artistike me grupe dhe artistë si Peter Pan Quartet, Dobs, The Djems, Paradox, Nandhe, Bojken Lako, Semi Jaupaj, Henri Mahmutaj, Jona Pepkolaj, Rea Nuhu.
Data 18 maj përkon edhe me Ditën Ndërkombëtare të Muzeve dhe këtë vit Shqipëria do t’i bashkohet 158 vendeve të tjera për të rritur ndërgjegjësimin se muzetë janë një mjet i rëndësishëm në shkëmbimin kulturor dhe bashkëpunimin ndërmjet njerëzve dhe popujve.
Me këtë rast Muzetë e Krujës do t’i bashkohen 37.000 muzeve anembanë botës në këtë nismë duke mbajtur muzetë hapur përtej orarit të zakonshëm dhe hyrja do të jetë falas.
Më datë 19 maj, në orën 11:30, kulinaria shqiptare do të promovohet në Kalanë e Krujës. Gratë dhe vajzat krutane për një ditë të vetme do të promovojnë shijen më të zgjedhur të gatimeve tradicionale për qindra vizitorë të qytetit historik. Masterchef të njohur do të shpallin edhe recetën më të mirë të panairit.
Gjithashtu bizneset turistike që operojnë në territorin e kalasë do ti bashkohen panairit duke prezantuar gatimet e tyre më tipike. Panairi do të shoqërohet nga muzika tradicionale dhe repertori i papërsëritshëm i Pleqve të Krujës. /atsh