Kalimi nga Tuneli i Llogarasë, do të jetë me pagesë për qytetarët.
Burime nga ministria e Infrastrukturës konfirmojnë faktin që rruga do të jetë me pagesë, por që ende nuk është përcaktuar tarifa.
Projekti infrastrukturor që pritet të përfundojë vitin e ardhshëm, ende nuk ka gati përfundimisht studimin e fizibilitetit.
Ndërkohë Ministria e Infrastrukturës ka gati dokumentet për të shpallur tenderin ndërkombëtar për rishikimin e studimit të fizibilitetit dhe hartimit të projektit të detajuar inxhinierik për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë.
Ndërtimi i tunelit do të mbulohet nga buxheti i shtetit dhe pas këtij njoftimi paraprak për procedurën e prokurimit do të aplikohet një procedurë e përshpejtuar për 5 ditë, me një fond limit prej 625 milionë lekë.
Në total për këtë projekt janë akorduar 750 milionë lekë, ndërkohë që pak ditë më parë Këshilli i Ministrave alokoi një fond shtesë për Ministrinë e Infrastrukturës 150 milionë lekë posaçërisht për këtë investim. Por ende nuk dihet se sa do të jetë fatura e plotë financiare e ndërtimit të tunelit.
Lloji i procedurës është për shërbim konsulence dhe kohëzgjatja e kontratës është vetëm 6 maj. Pra në fund të këtij viti kompania fituese duhet të ketë gati studimin dhe projektin e kërkuar.
Operatorët ekonomik vendas dhe të huaj duhet të kryejnë shërbimin për hartimin e preventivave përfundimtar, vlerësimin paraprak të ndikimit mjedisor, dhe hartimin e projektit të idesë përfundimtare.
Në njoftim janë listuar kriteret dhe licencat që duhet të plotësojnë të gjitha kompanitë, vendase ose të huaja në mënyrë që të marrin pjesë në garë.
Projekti i Llogarasë është një nga veprat e rëndësishme infrastrukturore, i cili do të shkurtojë distancën me zonat në jug si dhe do të ndikojë në zhvillimin e turizmit./shqiptarja