E rrethuar nga kodrina, gjelbërimi dhe gjineshtrat plazhi i Kallmit është një nga të paktët plazhe që do i ofrojë magjinë stinës së verës që po presim.
Kallmi është vetëm 8 km larg qendrës së Durrësit, larg rrëmujës e rrëmetit të qytetit.
Dikur ka qenë një zonë ushtarake, ndërsa prej disa vitesh po tërheq gjithmonë e më shumë vëmendjen e pushuesve dhe vizitorëve. Por për të mbërritur në këtë plazh nuk është dhe aq e lehtë. Infrastruktura ka mbetur jashtë vëmendjes nga shteti, pavarësisht potencialeve të shumta që ofron zona. Rruga është e pasfaltuar dhe e mbushur me gropa në të gjithë gjatësinë e saj.
Kallm besohet se rrjedh nga fjala latine “kalm”, paqe, qetësi. Këtë gjendje turistët thonë se e gjejnë në plazhin mes gjelbërimit. Por ajo që mungon është dora e institucioneve që cilësojnë turizmin prioritet.
Me afrimin e stinës së verës, pushuesit e turistët e ndryshëm që do vijnë të vizitojnë Kallmin do të shtohen, por është mungesa e infrastrukturës ajo që mund ta penalizojë. Nëse rruga do të ishte e mirë, plazhi i Kallmit do të kthehej në një prej destinacioneve më të frekuentuara.
Zona e Kallmit ofron një ndërthurje të bukur mes detit, plazheve ranore dhe shkëmbore, një diversitet biologjik, ku në këtë mënyrë iu përgjigjet kërkesave të çdo pushuesi për të falur sa më shumë qetësi pranë natyrës.
E shndërruar në mushkërinë e blertë të qytetit, Kallmi pret më shumë pushues dhe mbi të gjitha investime cilësore.