Kam dashuruar njëqind burra
Nga Laureta Petoshati
Kam dashuruar njëqind burra,
ndoshta më shumë, fjala bie
kujtimi i tyre më ndjek si hije…
Kam dashuruar njëqind burra,
i desha ashtu, si mjegulla mbi mal,
e meritova fjalën: e përdalë…
Në shpirt të njërit kur zbrita,
atje në breg për pak u mbyta
nga dallgët e hovshme dhe të mëdha
baticë u bëra dhe nuk më pa
sado qirinj ndizte me frymë
Por unë tashmë isha bërë rrymë….
Kjo histori s’ka pikë të skajshme,
ndaj dhe unë ndihem e pafajshme…
Kam dashuruar njëqind burra,
njëqind aroma nuk i dallova,
nga të njëqindta u drogova…
Kalova male, dete, ura,
e mbajtur pezull nga njëqind burra…
Por dalëngadalë kur u kthjellova,
njëqind pasqyra unë dallova,
aq i madh pat qenë lëndimi,
sa për njëqind nga tjetërsimi.
Kam dashuruar njëqind burra,
dhe të njëqind ishin një burrë,
si të ish det s’e njoha kurrë.
Ikën pasqyrat më nuk e pashë,
Dashuria ime: koha që dhashë.