Një letër e kryepolicit Ardi Veliu, drejtuar vartësve, zbulon se tashmë kanabisi po kultivohet në ambiente të mbyllura.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u kërkon drejtuesve të policive të bashkëpunojnë me autoritetet vendore për të identifikuar pronarët e magazinave, depove, tuneleve, ish-reparteve ushtarake, shtëpi të braktisura, serave, staneve e të tjera, që shfrytëzojnë trafikantët.
Në këtë proces, ndihma kërkohet edhe nga OSHEE për identifikimin e konsumatorëve të cilët mund të përdorin energjinë elektrike më shumë se sa nevojat e tyre, që rrjedhimisht çon tek dyshimet për kultivim kanabisi.
Në letrën, të cilën Report Tv e siguron, Veliu i shpreh hapur kritikat për uniformat blu për kontrollin jo të plotë në zonat me risk të lartë për kultivimin e kanabisit, fenomen që njohu rritje në vitin 2019.
Për ministrin e Punëve të Brendshme, Sandër Lleshaj, përpjekjet e policisë me kanabisin duhet të japin rezultat brenda qershorit, ndërsa kërkoi bashkëpunim me autoritetet vendore për identifikimin e çdo zone ku kultivohet droga.
Gjatë një takimi me drejtues të policisë ai tha se në monitorim do të përdoren edhe drone, në bashkëpunim dhe me Forcat e Armatosura.