Kandidati i kolaicionit A.B.E.O.K. për kryeministër në zgjedhjet e 25 prillit, Enriko Ceko, përmes një letre të hapur i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama dhe kryedemokratit Lulzim Basha të ballafaqohen në një debat televiziv me të.
Ceko shprehet se është i gatshëm në çdo moment deri më 24 prill të ballafaqohet me krerët e dy forcave më të mëdha në vend me qëllimin diskutimin e platformave të gjithësecilit.
Letra e plotë: Përshëndetje Edi Rama. Përshëndetje Lulëzim Basha. Ju Edi Rama jeni aktualisht në detyrën e kryeministrit, ndërsa ju Lulëzim Basha deklaroni se do jeni kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë
Unë jam propozuar në Kuvendin e Shqipërisë për kandidat për kryeministër nga ana e përfaqësuesit të Koalicionit A.B.E.O.K., pas një procedure konkurrimi brenda një subjekti politik, pjesë e këtij koalicioni, dhe pasi ata që kanë formuar koalicionin A.B.E.O.K. kanë rënë dakord për këtë dhe e kanë deklaruar në mënyrë publike dhe zyrtare në Kuvendin e Shqipërisë.
Pra, nga ana formale, unë jam i kandiduar nga një subjekt politik, ndërsa ju të vetëshpallur individualisht. Pavarësisht kësaj, është në nderin tuaj që në një media që duhet t’a zgjidhini ju dhe me një a disa moderatorë që duhet t’i zgjidhni ju, unë jam i gatshëm në një moment të përshtatshëm për ju, gjatë këtyre ditëve, përpara datës 24 prill 2021, të përballemi së bashku për programet tona të zhvillimit të vendit për katër vitet e ardhëshme dhe për disa çështje madhore që shqetësojnë qytetarët e Shqipërisë në vend dhe kudo në botë.
Kërkesa ime buron nga Kushtetuta dhe legjislacioni në Republikën e Shqipërisë për të drejtën në përgjithësi dhe liritë dhe të drejtat themelore të individid në veçanti në lidhje me fjalën e lirë dhe lirinë për ushtrimin e veprimtarisë politike në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Gjithashtu, kjo kërkesë buron edhe nga kërkesa ligjore për transparencë në lidhje me veprimtarinë politike të subjekteve politike dhe individëve që marrin pjesë në zgjedhje si subjekte dhe individë që kanë të drejtë të zgjidhen. Disa prej çështjeve që unë kam shumë dëshirë të diskutoj me ju dhe të parashtroj pikëpamjen e koalicionit A.B.E.O.K. janë si më poshtë: 1. Problematika e pronës dhe e pronarët, kthimi dhe kompensimi i pronës 2. Problematika e të përndjekurve politikë 3. Dosjet e Sigurimit të Shtetit 4. Depolitizimi i administratës publike 5. Kodi zgjedhor 6. Kushtetuta 7. Programi i zhvillimit për katër vitet e ardhëshme 8. Etj.
Gjithashtu, shtoj se në këto zgjedhje për Koalicionmin A.B.E.O.K., a. Nuk është dhënë financim sipas ligjit. b. Nuk është përcaktuar me një procedurë të drejtë dhe të barabartë ligjore në prani të përfaqësuesve të këtij subjekti dhe në prani të përfaqësuesit të KQZ, minutazhi dhe hapsira e mjaftueshme në media sipas ligjit. c. Në komisionet e votimeve në qendrat e votimit Koalicionit A.B.E.O.K. nuk i është dhënë e drejta e përfaqësimit as me komisioner dhe as me vëzhgues.
Sa më lart, kërkoj që të ballafaqohemi së bashku, në mënyrë që në këto zgjedhje, të paktën si individë kandidatë për drejtimin e vendit në detyrën e kryeministrit, të shkojmë të lirë, të barabartë, me drejtësi dhe me standard, aspekte që kanë munguar në mënyrë të dukshme gjatë tërë procesit elektoral dhe që kanë penalizuar në mënyrë të dukshme koalicionin A.B.E.O.K.. Në të kundërt, unë dhe koalicioni A.B.E.O.K. do kërkojnë që këto zgjedhje të shpallen të pavlefshme dhe nëse kjo ndodh, vendi do kalojë nën drejtimin e një Qeverie Tranzitore, detyra e së cilës është të përgatisë kushtet për zgjedhje të tjera të jashtëzakonshme edhe për pushtetin qendror edhe për pushtetin vendor.