Kryeministri Edi Rama në një intervistë për emisionin ‘Kjo javë’ ka folur në lidhje me ecurinë e deritanishme të fushatës elektorale të PS-së, por edhe atë të vaksinimit kundër COVID.
Ai pohoi për se ndihet i frikësuar nga fushata elektorale e PD-së, pasi sipas tij vihet në rrezik shëndeti i qytetarëve.
“Unë jam i frikësuar vërtetë, dhe ata kanë të drejtë kur bëjnë deklarata që ‘Edi Rama’ është i frikësuar, por ata janë gabim kur frikën time e lidhin me faktin që ata po krijojnë një uragan që do i çojë në fitore.
Unë jam shumë i frikësuar për shëndetin e atyre njerëzve që i ndjekin organizatorët. Kjo mund të ndikojë jo vetëm në shëndetin e tyre, por në numrat në përgjithësi sepse po ndodh një fushatë infektimesh në të gjithë territorin, kudo ku shkon drejtuesi i opozitës krijohet një vatër infektimi dhe pastaj ai është një infektim që shpërndahet.
Kjo mua më frikëson shumë. Edhe në Kosovë po shohim tani rritje numrash, që lidhen fatkeqësisht me fushatën elektorale kjo më frikëson. Kurse sa i përket ‘uraganit’, unë nuk shoh asnjë uragan, shoh vetëm përsëritjen bajate të të njëjtin film me makina me dy gishta, ‘Rama ik’, një përpjekje për të stimuluar perceptimin se këtu ka shumë njerëz. Një përpjekje që nuk ka treguar asnjëherë se është një përpjekje fituese, madje italianët kishin një shprehje shumë të bukur për fushatat elektorale, që thoshte ‘sheshet plot edhe kutitë bosh’ dhe kështu do të ndodhë edhe me opozitën.”-tha Rama.