Karantinimi po na bashkon më shumë se kurrë!

Me gjithë dëshirën e njerëzve për t’u bashkuar përmes teknologjisë, rrjetet sociale në përgjithësi shkaktuan një lloj distancimi.

Mjafton të kujtoni sa herë keni qëndruar në Instagram, teksa ishit në kafene me miqtë.

Mirëpo së fundmi situata e shkaktuar nga koronavirusi po na mëson si të jetojmë online. Më në fund, njerëzimi pati fatin që të bashkohet përmes teknologjisë.

Së pari, kur virusi ishte i lokalizuar fillimisht në Kinë, nëpër grupet e WhatsApp-it nisën diskutimet nëse do të “mbërrinte” koronavirusi në Europë.

Pastaj u shënua rasti i parë jashtë Kinës, pastaj rasti i parë në Europë e kështu me radhë. Derisa u diagnostikuan dy njerëzit e parë në Shqipëri me Covid-19, grupet e WhatsApp-it vlonin nga diskutimet, por nuk mbaroi këtu.

Vërtet rastet e infektuar me Covid-19 sollën panik te të gjithë. Ishte e kuptueshme. Pas masave të qeverisë që ndalonin qarkullimin e lirë dhe theksonin karantinimin, filloi faza tjetër e komunikimit virtual.

Sigurisht që nuk pretendojmë se ajo çfarë do të pasojë në botë do të jetë argëtuese. Përkundrazi, do të ketë humbje jetësh dhe njerëzit që do të përballen me simptomat e Covid-19. Por nga ana tjetër, pati një lloj bashkimi virtual që duket se ndodhi për herë të parë. Njerëzit komunikojnë dhe kujdesen për njëri-tjetrin.

Ja rastet e ndodhura:

Njerëzit – duke ndjekur shembullin e Italisë – dolën nëpër ballkone dhe duartrokitën mjekët dhe infermierët.

Një student i mjekësisë la numrin e telefonit në pallat që njerëzit e moshuar të telefojnë për ndihmë. Dikush këndon në ballkon për komshinjtë.

Arbana Osmani gatuan përditë dhe ndan me ndjekësit receta gatimi. Aulona Musta ilustron ushtrime për të mbajtur trupin në formë në shtëpi. Marsela dhe Vitmari ofrojnë koncert live në Instagram. DJ Sardi luan muzikë livestream e kështu me radhë.

Pra, nëse ka një gjë të mirë në gjithë këtë situatë aspak të lehtë, është fakti që virusi po na detyron ta përdorim internetin për njëri-tjetrin: Të flasim, të ndajmë informacione, të japim zgjidhje konkrete, të argëtojmë, të ndihmojmë dhe pse jo, të shpërndajmë edhe meme.

Teksa virusi po na detyron të qëndrojmë mbyllur, lidhja virtuale është jashtëzakonisht e fuqishme. Izolimi po na bashkon, qoftë edhe me atë kushëririn me të cilin përshëndeteshim vetëm për ditëlindje dhe festat e fundvitit. Izolimi po na bën të vlerësojmë çfarë ka vërtet rëndësi në jetë.

Loading...