Pamjet e siguruara nga kamerat e fshehura, në të cilat shihet futja e lopëve shumë të sëmura në një thertore të Polonisë e kanë ngritur alarmin për standardet e cilësisë së mishit në njërën nga vendet më të mëdha eksportuese të mishit në Bashkimin Evropian.
Duket se therja e tyre është bërë gjatë natës dhe në thertore nuk ka pasur zyrtarë të veterinarisë dhe ushqimit, që paraqet një shkelje tjetër të rëndë të standardeve të sigurisë së ushqimit.
Punëtorët e thertores shihen duke i hequr pjesët e mishit të shtypur për shkak të qëndrimit të gjatë të lopëve në tokë dhe copat e mishit që dyshohet se janë tumore të ndryshme.
Ekspertët e ushqimit, të cilët i kanë parë këto pamje, kanë thënë se ky mish ka mundësi të shkaktojë rrezik të madh për shëndetin e njerëzve që e hanë atë dhe i kanë bërë thirrje qeverisë polake që menjëherë të ndërmarrë masa për t’i njoftuar shtetet tjera.