Kaseta për masakrën e Krushës/ A do t’i drejtohet OKB-së për rolin e Bashës? Rama: S’jam hetues, por kreu i PD ka detyrim të shpjegohet!

Kryeministri Edi Rama i kërkoi sërish kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, të dalë dhe të sqarojë akuzat për kasetën e masakrës së Krushës.

I pyetur nga gazetari i News24, Ergys Gjençaj, nëse ka menduar t’i drejtohet zyrës së OKB për të marrë informacion mbi rolin e Bashës, Rama theksoi se nuk është detyra e tij të bëjë hetuesin, por ai si kryeministër ka për detyrë t’i kërkoj Bashës sqarim mbi çështjen.
Sipas tij, është detyrim i një lideri politik, aq më tepër kur pretendon të qeverisë vendin, që t’iu përgjigjet akuzave dhe jo t’iu shmanget atyre.
“Gjykimi im është shumë i thjeshtë. Një përfaqësues i një familjeje, i një ndërmarrjeje, i një organizate, i një media, dhe për më tepër, një përfaqësues i një numri të caktuar qytetarësh dhe aq më shumë akoma përfaqësues i një partie politike, që për më tepër akoma pretendon të qeveris vendin, ka një detyrë të patjetërsueshme, të mbajë qëndrime dhe të shikojë në sy njerëzit e të thotë atë që i takon në raport me cështje të caktuara dhe patjetër dhe në raport me cështje që lidhen me të. Nuk flasim këtu për jetën private, që është e secilit dhe nuk është publike, as për punët private, por flasim për një detyrim shumë të thjeshtë, që një lider ka, të shpjegohet.

Patjetër që në këtë rast unë jam aspak i dëshiruar që këto akuza, që nuk i bëj unë, se unë s’kam bërë asnjë akuzë, por që i bëjnë njerëz që as i kam takuar, as i njoh, të jenë të vërteta, nuk dua që të jenë të vërteta. Por është detyrim i patjetërsueshëm, nuk është detyrim që kryhet duke më sharë mua, as duke i bërë bisht, as duke heshtur apo duke nxjerrë partinë të bëjë deklarata. Është detyrimi im, në pozicionin që kam, që t’i them Lulzim Bashës të shpjegohet. Nëse PS, në kohën kur e ka drejtuar Fatos Nano, ka mbajtur një qëndrim të caktuar që bie ndesh me interesin kombëtar, gjë që nuk ka ndodhur, dhe nëse ju sot më pyesni për atë qëndrim, unë kam detyrë të mbajë një pozicion, se është partia që unë drejtoj sot.

Basha duhet të thotë se e votoi partia e tij dhe LSI raportin e Dick Marty, ndërkohë që ne si opozitë e kemi votuar kundër. Kemi qenë dy palë në Strasburg dhe kemi votuar kundër për të njëjtën cështje. Ta thotë pse e votuan pro? Këto janë në funksion të detyrës që kam. Të gjitha të tjerat, që po e përdor për zgjedhje apo cështje politike, janë dokrra, që nuk kanë të bëjnë me arsyen pse unë e ngre këtë cështje. Dikush që pretendon të drejtojë shtëpinë tonë të përbashkët nuk mund t’i bishtnojë nevojës për të dalë dhe për të thënë arsyet. Në të gjithë botën demokratike funksionon kështu. Është llogaridhënia para njerëzve e dikujt që pretendon të drejtojë shtëpinë tonë të përbashkët. Unë s’jam hetues dhe s’më intereson të jem.

Është cështje karakteriale e rëndësishme. Është karakteri i lidershipit që gjithmonë testohet. Është e pamundur që një drejtues, aq më tepër i një force politike, të mos ketë këtë tipar të karakterit, që të dalë dhe të përballet me cështjen. Unë i dal përballë të gjitha cështjeve vetë. Nuk kam unë akuza, akuzat konfirmohen nga heshtja e gjatë, shmangia e vazhdueshme për t’u përballur me to, nga kundërakuzat mbi ata njerëz, që sot i adresohen Lulzim Bashës. Nuk është bindëse të thuash që janë mashtrues. Dhe për më tepër teoritë e komplotit. Si mund të jem unë i interesuar për komplot ndaj Bashës. Nuk zgjidhet duke më sharë mua”, u shpreh Rama.

Loading...