Mbretëria e Bashkuar po përballet me një rritje të lartë të numrit të infektuarve me Strep A, ku katër fëmijë kanë humbur jetën.
Strep A, ose streptokoku i grupit A, është një lloj bakteri që gjendet në fyt dhe në lëkurë dhe tek shumica e njerëzve nuk shkakton asnjë simptomë ( njihet si “kolonizim”). Ai mund të përhapet përmes kollitjes, teshtitjes dhe kontaktit lëkurë me lëkurë. Fëmijët, personat mbi 65 vjeç, ata që kanë HIV, përdorin steroide ose barna të tjera, ose vuajnë nga diabeti, sëmundjet e zemrës ose kanceri janë më të rrezikuarit. Streptokoku A, mund të shkaktojë ethe, skuqje, infeksione të fytit dhe në raste shumë të rralla, sëmundje invazive.
Fëmija i katërt ka ndërruar jetë në një shkollë në Ealing në perëndim të Londrës pas kontraktimit të infeksionit invaziv streptokok të Grupit A (iGAS).
Agjencia e Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar (UKHSA) kanë thënë se rritja e rasteve vjen si rezultat i tërheqjes së masave të zbatuara gjatë pandemisë COVID.
“Duke punuar me ekipin e shëndetit publik të Këshillit Ealing, ne kemi ofruar këshilla paraprake për komunitetin e shkollës për të ndihmuar në parandalimin e rasteve të mëtejshme dhe vazhdojmë të monitorojmë situatën nga afër”, tha Dr Yimmy Chow, konsulent në UKHSA.
“Infeksionet streptokoke të grupit A zakonisht rezultojnë në sëmundje të lehta. Këto përfshijnë dhimbje të fytit, ethe dhe infeksione të vogla të lëkurës që mund të trajtohen me antibiotikë. Në raste të rralla, mund të jetë një sëmundje e rëndë dhe kushdo me temperaturë të lartë, dhimbje të forta muskulore, dhimbje në një zonë të trupit dhe të vjella ose diarre të pashpjegueshme duhet të kërkojë menjëherë ndihmë mjekësore”, shtoi ai.
Autoritetet përkatëse këshilluan që ata që vuajnë nga kjo sëmundje të mos shkojnë në çerdhe, shkolla ose punë për të paktën 24 orë pasi të kenë filluar trajtimin me antibiotikë.