Tregim
Si t`ia filloja këtij tregimi, përderisa dhembja ime më shtrëngon fuqishëm për atë vend e për atë kohë, sa lotët që më rrjedhin nuk e di a mos janë për ato ditë të pakryera apo për ikjen time nëpër kohë.
Nuk e di, nuk e di. Në Gerra-Piano, në Ristorante del Ponte, shefi tregoi një mikëpritje për dy njerëz që kishin ardhur për mua, të më merrnin me vete, Rezil Aga i Madh i thonin, se qe i veshur dervish, por që për mua ishte çervish i madh, pa asnjë kokërr krype dhe prej mielli kallamoqe, që po t`ua hedhnin pullave ndoshta do ta kishin ngrënë, por jo burrat e vërtetë!
Ai ishte prej fshatit Zhorinë, afër Thatinës, ku pjesa dërmuese e çervishëve në tërë Kosovën janë të shitur andej e këndej, e pjesa më e madhe te UDB-ja. Por jo vetëm UDB-ja i kishte kthyer nga vetja. Fetë e tjera dhe sunitët ishin akoma më keq të shitura, se sa sheitët. Për to, vinin në shprehje armiqtë e tjerë. Udhëheqësit e tyre dinin të mbllaçisnin pallavra fetare, sikur popujt që i kishin ndër vete e paskan origjinën e prejardhjes së tyre vetëm nga fetë, nga zotrat e kulturës së tyre, e jo nga fuqia kozmike, deri te dreqi dhe i biri. Por, nuk po zgjatemi shumë. Vetëm se sunitët dhe sheitët e islamizmit ishin të shitura. Në radhë të parë, na ishin dora e zgjatur e pushtetit, që ishte dora e pushtetit të dhunshëm, apo që pretendonin të na kenë nën dhunë, siç na kishin patur më parë, ose pretendonin që të ma merrnin nën vete…
Shkurt e shqip, për t`u kthyer në rastin tonë, Rezil Aga i Madh kishte ardhur rrumbullak me “dajallëkun tim”, sepse ate e mbaja për “dajë”, por ishte gjysëm dajë, pa pasur unë asnjë haber[1] për vizitën e tyre te shefi im.
Aspak nuk e kisha ditur këtë gjë dhe gjysëm-daja ishte në Engelburg, në bjeshkë të larta dhe dëborë të madhe, me pllaja të dëborës për rrëshqitje e ndërkombëtare të skijave, aq largë shumë prej meje, sepse punoja në Ticino.
Ai më kishte lënë 5 ditë duke e pritur te stacioni i trenit në Riazzino, pa bukë e pa ujë, kur erdha rastësisht nëpër male të larta dhe me dëborë të madhe, ditë e javë të tëra, sepse isha mësuar prej babës të bëj rrathët e ecjes nëpër dëborë të lartë. E një rrëfim tjetër për këtë udhëtim të mundimshëm e të tmerrshëm, madje të rrezikshëm, nëpër arusha të mëdha të bjeshkëve, prej Interlakën e në Tiçino, te ai që e thirrja poashtu “dajë”, Talim Sejdia, i cili ishte vëllai më i vogël Halim Sejdisë, do t`ua them më vonë…
Baba më pat dhëne një porosi të vlershme: mos i beso atij që të gënjen dhe që flet shumë ose pa lidhje. Kjo vlente në radhë të parë për gjysëm-burrat e Vërmoshecit. Andej vinte edhe gjysëm-daja im i dallavereve[2].
Kur kisha nevoje për te, nuk u lodh për mua, por tani erdhi papritur, në fund të sezonës së parë, në Gerra-Piano. E paskan folur edhe me shefin tim, që përpara, pa e ditur unë asnjë gjë, he u plaçin të dy sytë! Në radhë të parë, nuk e kam ditur se si kanë mundur që të mirren vesh në mes tyre! Madje, nuk e kuptoj se në çfarë gjuhe kanë folur, italisht, gjermanisht apo anglisht.
Ndoshta, shefi im ka qenë më parë polic i Ticinos dhe ndoshta kjo punë e tij e kishte lidhur edhe me vizitorët. Ai, shpesh përlahej me mua, përkundër familjes së tij, me të cilët ishim si të kishim lindur së bashku.
Si e kishin lidhur fjalën me Rezil Agën e Madh të Zhorinës nuk e di, por atij kurrë më parë nuk ia kisha dëgjuar emrin për të mirë, e as vete nuk e kisha parë, sepse ishte një qenie si gorillët, me plot sjellje të prapta.
Si duket, nuk qe “i vetmi”, në këtë spektër. Kishte plot të tjerë me pamjen e njeriut dhe sjellje të shtazëve. Në rradhë të parë, dinte vetëm që të bërtasë: “Shut ti, e fol ti! Unë e di, e ti nuk e di! Kështu ka thënë filan Baba, apo kështu është, tjetër nuk bën! Rrak cak”! Ai na e quante “Babë” njërin nga qoshet e Arabisë, por babën e vet e baballarët tonë i harronte!…
Pa, pa! Më habit kjo sjellje! Ç`të them?! Nuk është sjellje e njeriut! Njeriu duhet të presë tjetrin çfarë thotë, e pastaj t`ia shpreh atij edhe mendimin e urtë e të pleqnuar me tërë qenien, si mendime të vlershme, jo me diktat!
Diktati është prej prej së larti e vjen poshtë. Kur vjen prej së larti, prej vetë pushtetit, është shablon, i prerë dhe i gatshëm. Nuk është i bluar në mullirin e njerëzve të veçantë, për çështjet e tyre, nga përvoja e tyre e vuajtjeve. Mund t`i quash se “vinë prej të shejtëve”, por ato nuk janë të matura prej shumicës së njerëzve, këtu, poshtë, e jo lartë, me dhunë! Quaj si të duash!…
Ky është tregimi që edhe sot e kësaj dite më ndjek nga pas! Ndonjëherë, sikur i ndjej ata, pas pushtetarëve! E pushteti ishte me rrobe të kaltra, por me zemër katil të zezë! Lëshoheshin rrugëve tona, duke hazdisur kudo, me patkoj të hekurt. Ishin kuajt e egër e të hazdisur, pa frê.
Dikur e shkrova një poezi e vërtetë! Po e jap këtu, që ta shihni:
KUAJT E HASDISUR
Me zgjeben e turpit
e pak kaltërsi të imagjinuar
mbi lëkurë
hazdisen rrugëve,
nga një yll i zverdhur
rremat e thyer
mbi kablosh ua lëvar
e kobin e egërsisë
trokëllojnë mbi dhé…
Kujdes thnegla, lule, bimë
Kuajt e hazdisur po vijnë!
Të shkruaje këtë poezi atë vit, me 1980, para vitit 1981, ishte çudi! Kjo poezi i simbolizonte në artin klasik serbo-sllavët, që do të shpehnin tërë mllefin e tyre edhe të demonëve, mbi shqiptarët e shtrirë për tokë! Thneglat, lulet e bimtë simbolizonin tri kastat e mëdha të kombit shqiptarë. Kastën e parë e shprehnin thneglat, e cila simbolizonte klasën punëtore; artistët e krijuesit i simbolizonin lulet; ndësa bimët i simbolizonin vetëm shtresat e rëndomta të popullit, të mira e serioze të tij.
Edhe kjo poezi ishte e dorëzuar në përmbledhjen e dytë, e cila mbeti e pabotur “për shkaqe politike”, deri më 1992. A duhet më tepër t’ua jap se cila ishte detyra ime, atë kohë?! Apo duhet më tepër t’u them se pikërisht gjysëm-daja im më kishte lënë të vdes në rrugë e në trotuar, në mars të vitit 1980, sepse “kisha kontaktuar më parë te vëllezërit Sejdia”, e nuk e di prej kah e kishte marrur vesh edhe ai, pasi nuk i kisha treguar askujt.
Të them se pranë Talimit e Halimit kishte ndoshta spiuj, këtë nuk mund ta dija. Talimi mi pat falur 50 CHF, e këto nuk dualën as për biletë, prej Interlaken. Por, djali i madh i shehut të gjysëm-dajës, i cili e ka zënë vendin e Shehut, e emrin nuk po ia përmend, ishte gjeneratë me dajallëkun tim dhe punonte në Sekretariatin Komunal të Mbrojtjes së Përgjithshme Popullore. Edhe ajo ishte një pikë prej ku më përcillej çështja ime dhe për këtë shkak nuk dëshironte daja apo gjysmë-daja i im të më kishte afër vetes!…
Si kam shpëtuar në fund të shkurtit nga arinjtë e dëbora, nëpër bjeshkët e larta, prej zjarreve që i ndizja, nëpër çdo natë, me shkrepsën prej babës, që ishte plot me bezin, dhe nga buka që më dha shefi i stacionit të trenit në Riazzino, dritë i pastë shpirti kurdoherë, tani nuk mund tu them! As nuk më kujtohet emri i tij, por e kam të qartë në kujtesë! Ishte i vetmi mik, pa emër! Ndër të tjerë, më shpëtoi rastësisht “kushëriri” im, Tasman Ledili, një jetim, si babai, që punonte atje, në një shtallë, në fushë të Riazzinos!…
Nejse! Nuk po flas me tepër! I kujtoi edhe pjesëtarët e ish-policisë të ish- pushtetit, me ngjyrë të kaltërt, por me shpirt të zi, si djajtë! Sot, ata, e kanë ndërruar lëkurën e jashtme të dukjes, në kohën e re. Por metoda e punëve të tyre ka qenë e ka mbetur po ajo, si e pushtetit të rrebtë serbo-jugosllav, sot serbo-sllavë e kryeput antishqiptare: autokracia! Herë më bëhet tregimi me zhurukamë; herë një mbledhje e madhe, duke u grindur në rrafshinë, e unë qëndroja i lidhur midis tyre, duke e kthyer kokën sa andej e këndej. E herë ndodhesha në luftë të pabarabartë: një, kudër mija djajve! Edhe sot vazhdon kjo luftë! Ndërrojnë duart, zërat, por nuk ndërron metoda! Të urryerit djaj, me pelerinën e engjujve, bëjnë kërdinë! Ec e kapu me ta!!…
Dy njerëz, sa dy miliona djaj, që kishin ardhur papritmas të më merrnin nga puna, e të hollat nga shefi, pa u pasur aspak borgj atyre, madje as t`ua bënte shefi gjithë atë muhabet, me dredhat e tyre, e aq gjatë, sepse kur nuk merreshin vesh italisht, ia “grahshin” në gjuhë tjera, dhe unë duhet t`u bëja “hysmet”[3], madje sapo e çelja gojën të flas me shefin tim, për shpjegim, ma mbyllnin gojën, ndër të parët ishte Rezil Aga i Madh, e pastaj gjysëm-daja im pijanec! Çërvishin e Zhorinës kurrë nuk e kisha parë!…
Të thënë trup e shkurt, mezi u ndava prej tyre, duke mi shkepur edhe rrobet e mia, sepse nuk doja që të lëshoj punën, pasi edhe një muaj kisha punë dhe e arsyetoja, por asnjë hap së bashku me ata të dy nuk do ta bëja!
Nuk më mbeti vend tjetër pos të ikja lartë, nëpër male, e u mbusha frymë, por mbërrina në një fshat të ndërtuar atje, për herë të parë, Agarone, aty, në Ticino, sepse e ndjeka rrugën “via Agarone”, kodrave përpjetë.
Po të besoja në magji, ata më kishin bërë njëfarë magjie të vërtetë, sepse Rezil Aga ishte i madh dhe i gjatë, si bander, pra Rezil Aga i Madh, e kishin veshur çervish te Sheh Fylli, prej teqes së madhe, në Fokovë. Ai e kishte vendin e njohur të dajallarët tanë. I kisha vazhdimisht disa qivi prej tyre. Ai e kishte të vetët edhe miqte e vajzës, që më zonoi një vit më vonë, me magji të mëdha të Sheh Fyllit, ndërsa desha të lirohesha prej saj, e jo ta martoja.
As tani, nuk po flas më tepër! Siç diktonte çervish Rezil Aga i Madh: shut (shuaj!), edhe unë, po ngjitem përpjetë e po shukas! Ndoshta, do të dalin një parë shkallë dikund, në rrugë, e shkoj njëherë te Zoti i Madh. Do të lahem njëherë e përgjithmonë me këta njerëz të tokës, të cilet, siç merrej me mend, më kishin bërë edhe një magji të madhe. Ku e di unë, ku e kishin nisur e ku e kishin bitisur![4] Të hollat për pije u vinin prej të tjerëve dhe u mbeteshin mjaft atyre. Kurrë nuk ishin pa të holla. Ose ishin të sjellura si “nezër”[5], si te Rezil Aga i Madh, ose i vjedhnin legalisht prej punëtorëve tanë nëpër Zvicër, por edhe nëpër botë! Mashtrimet i kishin të gatshme! I kishin duart e gjata e të fshehura nëpër të padukshmen e të dukshmen. Ta zhvatnin djersën dhe të hollat, sapo “ua puthje dorën” apo faleshe me ta. Të gënjenin pa turp! Nuk kishte kufi në këto gjëra! Përvidheshin ashtu, në emër të Zotit…
Po të dilja njëherë përpara Zotit të Madh, do t`ia ngjehja të gjitha të zezat e zezfatit tim, që më kishin zonuar me të zezat e popullit, i cili po vuante e po vuante, në atdhé e në tretdhé, pa asnjë faj! Ndoshta AI nuk i ka parë të zezat e këtij populli të shkretë, sepse ka edhe shumë popuj e popuj të tjerë, për t`i parë e për t`i dëgjuar! Bota është e madhe, ore burrë! E unë, i kërkoj gjithnjë shkallët e veçanta, që më dërgojnë para tij, të përulen e t`ia shpjegoj të gjitha ato gjëra të poshtra, që më djegnin tërësisht zemrën!
Nuk e di para tij a do të më shpallet më së pari edhe gjuha që do të flas. E kujtoj se i Madhi Zot i tërë botës, të dukshmes e të padushmes, e flet gjuhën e vjetër shqipe, prej Atlantës së përmbytur. Asnjëherë nuk është folur me TE, por thuhet sikur flitet, pra “e folura” është në emrin e TIJ. Ku ta di unë, këtë punë! Të ndëgjosh çka thonë e çka bëjnë këta poshtë, në tokë, dhe në Lindje, vaj medet, sidomos për ne! Jo, jo! Ne, nuk egzistojmë! Kemi ekzistuar prej fillimit te jetës, 30`000 vjet para Lindjes së Krishtit apo të erës sonë, por ne nuk ekzistojkemi! Çudi! Ekzistojkan vetëm ruso-arabët! Nuk janë “kombe”, por Zotin e Madh e thirrin “Bog” e “Al`lah”! Asnjëren, s`e kuptoj!!…
Po ta shikosh të tërë ultërsirën, prej këtu, edhe ajo është shumë poshtë. Të kisha krahët, do të kisha fluturuar nëpër hapësirë! E ku i kam krahët e fluturimit? Jam njeri, krah-prerë. Lëviz kudo, me ecje, poshtë e lartë, në atdhé e në tretdhé, por prapë enden vetëm nëpër spektrin e vizatuar, brenda konturave të dhëna. Bëj përpjekje që të ikë apo të dal nga këto kontura të vizatuara, e prap se prap unë mbetem brenda tyre, por në rrethana të tjera: poshtë e lartë e gjeografikisht brenda kësaj bote! I ndërroj rrethanat, e jetoj në të njëten kohë! Jam i lindur në një fshat, p.sh. në Thatinën e KSA të Kosovës, që dëshiron të bëhet një republikë, e kam dalur nga konturat e vdekjes, konturat e burgosjes e të shkatërrimit, e jam në Ticino, përkundër përpjekjes së ingranazheve të nënshtrimit, apo të daljes nëpër botë, përmes duarve të mashtrimit, apo gjysmë duarve të zgjatura të tyre, që duan të më lënë prap pa të holla e pa asgjë; të mi shkyejnë rrobet prej trupit, sa të mos më lëshojnë. Jam i mbushur frymë, në maje të kodrave, në Agarone!…
E shihni pra! Ka forcë e mbi forcë, por nuk mund të fluturoj. Janë flatrat e jetës më të mëdha se krahët provizore. Nuk ke krahë të fluturoje, por jeta i paska krahët e vet, edhe të padukshëm, të lëvizjeve të veta dhe të dërgon pa pritur e pa menduar në skaje të padukshme të mendimeve! Edhe unë, në saje të revoltimit me çërvish e gjysmëm çërvish, si dajallëku im, me verë e me raki (të ishte në Kosovë, ku shpërdahet mirë komovica e llazarevica sa të duash, do t`i zgjedhte edhe ai, he i lëshoftë toka, të gjitha!!), po iku edhe nga vetvetja, të dal edhe përtej botës, ku nuk mund të dal, sepse nuk mund të ndahesh prej trupit, por këmbët më ecin edhe nëpër bjeshkë, sepse i kam ushtruar prej vedlindjes: atje shkrepa, e këtu bjeshkë të mëdha, vetëm se janë të punuara! Vetëm se flatrat e jetës po më ngrisnin “pak më lartë”…
Çuditërisht, mbërrina para Grotto-Ristorante Romitaggio! Ishte i veçantë! Isha i lodhur, sa nuk bën më tepër! Duhet lëvizur edhe këmbët më tepër se sa duhet nga shtytja e mbrendshme, rrugëve përpjetë, pa guxuar ta shikoja shpesh luginën, e cila ishte tretur poshtë, e shumë poshtë. Po e vëreja një gjë të mjaftueshme: ky shtet, edhe në maje të gurit, edhe në maje të pyellit, edhe një grimcë toke do ta punojë e përpunojë, sa gjithkund paska jetë! Në secilin vis të saj, e gjëjka metodën që të shpërblejë jetën!…
Njëherë, e shikova kuletën time. Daja i marrisë, m`i kishte plaçkitur të gjitha të hollat, gjoja se do t`ia lante “dadës Lushe”, kur të mundet, e nuk e zintë në gojë aspak babën tim, përderisa ate nuk kishte si ta gënjejë. Ai, dëshironte të lajë veturën e madhe “Ford Taunus”. Madje, nuk i dolën mjaft të hollat, pa e marrë edhe rrogën time, paraprakisht, për muajin nëntor!!…
Edhe po të plasja, ata lotë nuk do të ndaleshin. Rridhnin pa pushim! Nuk dënesja, e as nuk lëvizja gjë në fytyrë. Ishte vaj i dhembjeve të mija. As nuk e dinin dhembjen time ashtu siç më qe, dhe as nuk i dinin katrahurën që më pështillej. Ishte dhembja e rrotullimeve të mia nëpër dhé, e dërmuar tërë jetën për një jetë tjetër, si të brezit të ri. Ishte viti 1980. Vitin tjetër do të përplasej kjo dhembje e popullit të ndydhur e të vrarë ndër pabesitë serbo-sllave. Çuditërisht, më erdhi, si për magji, një mahi, për “letër e laps”, kur i pata marrë prej Zotit të Madh, para se të lind në këtë botë. Dhe, mu kujtua se secili njeri, e merr nga një detyre, të mirë apo të keqe, të urtë apo të idhtë, të lehtë apo të rëndë, të çartë apo të pështjelluar, të butë apo të rrebtë, etj., prej Zotit të Madh. Unë, para se të vija në këtë botë, e kisha zgjedhur një punë mjaft të vështirë, në mesin e mijëra punëve të mija: do ta përcjillja në çdo hap botën tonë se çfarë do të ndodhte e do të gjëja zgjidhjen më të mirë! Nga këto mendime e me këtë lodhje, më ishte terur krejtësisht goja.
“Po më duket se t`i ke nevojë për ndonjë pije! Restoranti është përpara: Grotto-Ristorante Romitaggio! Është restorant shumë i mirë!” – më tregoi një udhëtar që zdirgjej teposhtë ose e kishte vizituar atë restorant.
“Faleminderit, zotëri!” – iu përgjegja shkurt dhe mezi fola. Ai, poashtu ma kthej edhe njëherë, me italishten e mirë. Ishte e qartë se ishte një italian i vërtetë, e jo tiçinez, sepse do ta kisha kuptuar. Por mbi dy orë i kisha bërë rrugë, nëpër zigzaket e saj, apo më tepër. Nuk kisha kohë ta shiqoja orën! Mu mërzit tërë ultërsira, me plot lokale, prej Riazzinos e deri në Giubiasco.
Ai çervish-dervishi i marrisë së Zhorinës ma kishte lëshuar një pelerinë të padukshme përsipër, gjatë bisedave pa kufi, duke pirë me shefin tim e duke u qeshur me te, por duke më shtrënguar me dhunë mua përposhtë vetes, sa tërë kohën do të përpiqesha t`i ndjek prej vetes morrat e fjalëve të tija, e edhe lëkurën copë-copë, sepse, jo vetëm se ishte i lidhur me djalin e shehut të vet, sadie, të Teqes së Madhe, por ai na ishte edhe shef në Zyrën e Mbrojtjes së Përgjithshme Popullore të Komunës së Fokovës, sot Sheh Marrja i Madh! Ata më përcillnin e nuk më lëshonin në tërë Ligën e Keqe dhe të Fokovës apo Kosovës sime, por edhe vetë dhuna e pushtetit socialist vetqeverisës, nuk më lëshonte prej thundrave të veta, sado që përpiqesha të humb e të ikë!!…
A bëri ndonjë magji apo më kishte hedhur diçka në pijen time nuk e dija, kur më dërgonte shefi deri në kuzhinë, për të marrë edhe meze me mish të përzhitur e çfarë po e do, lloje-llojesh. E përzhiste për mrekulli gruaja e tij bamirëse, e cila nuk shqetësohej për ata, por për mua, që po vuaja. Edhe ajo e ndjente këtë vuajtje. Më qetësonte dhe ma mësoi edhe pirjen e duhanit, “Gallante”, që ishte për gra, sepse ajo e pinte. Tërë pasditën e bëmë kështu, duke llafosr e duke pirë! Siç shihej, më shumë i donte shefi ata, se sa mua!…
Këto, ndër të parat, i mendova, e kafen e kisha rrufitur kaherë! Gruaja që punonte aty, më pështjellohej për rreth, duke ofshirë, e duke mi parë lotët e tharrë, pa guxuar të më thotë ndonjë gjë. Edhe dy vajza të tjera, që shikonin vetëm nga unë, sikur më shqetësonin nga pak. Njëra ishte shumë e bukur dhe e kthjellët, por më e madhe; ndërsa tjera, më e vogël e pak më e dobët, por gazmore dhe e mirë. Buzëqeshin drejt meje, që të dyjat.
“Të lutem!” – i them asaj gruas shërbyese. – “Çka janë ato dy vajza këtu, që më shikojnë përherë? A jam për ndonjë gjë mjaft atraktiv, që më shikojnë”?!
Edhe ajo buzëqeshi, me respekt. Të dy vajzat, u qeshën ëmbël, edhe ato. E kuptuan se pyeta për to, sepse gruaja shërbyese shikoi nga vajzat. Unë, isha si i humbur nga kjo botë, botë e mallkuar, deri aty.
Për shembull: në vend se t`i dërgoj në shtëpi ato të holla të mia, i hëngër daja gjysëm naiv. Po, po. Mirë po i them. Ishte gjysëm-naiv. Në shpirt, nuk ishte aq i keq! Vraponte pas të tjerëve e secilit i ndihmonte, u shërbente, por për veten e tij nuk kishte të holla, kur më së shumti kishte nevojë për to. Unë isha më i ri. Ai sillte edhe me dorë, në mënyrë të pavetëdijshme. Mi muar të hollat e fituara me mund, pa i marrë ato dy rroga, që i prisja me te madhe! Nuk i kisha asnjë qindarkë borgj, dhe ai erdhi me një dredhaç të Zhorinës, e mi grabiti ato të holla. Në të vërtetë, ato të holla ia dha vetë shefi im, sepse u shit me vaj daja im, si djalë i motrës, i përmalluar për mua.
Kur erdha në Zvicër, pesë ditë më la të vdes, në trotuar. Po të mos kishte qenë Shefi i Stacionit të Trenit në Riazzino, të më ndihmojë, do të fluturoja në rrotë të së ëmës. E tjetër, cili do të lodhej për mua! Isha në dhé të huaj…
Tani, kur të kryhej puna ime, do t`i merrja dy rroga. I pritja me padurim. Erdhën ata dy pisa, e më lanë pa asnjë qindarkë! Asnjë prej rrethit të tij, nuk do t`i besoj këto gjëra! Madje, nuk e beson askush, as nëna ime…
“Ahaa!” – bëri, pas të qeshurës, shërbysja. “Ato janë dy bukuroshet e shefit të këtij restoranti!… Po Ju, çfarë keni, që dukeni i merzitur”?! – dhe bëri me dorë në faqet e saj, si për të më treguar për vijat e lotëve, nëpër faqet e mia.
Nuk kishte të tjerë në restorant, atë çast. Nuk ishte ende koha e darkës. Prej të idhtit, kisha kalur në ironi të jetës. Iu përgjegja menjëherë:
“Oh, Ju po më tregoni se unë i kam vijat e lotëve, e ato i kam vetëm prej të mirave të mia! E po, pasi përfundova keq në Gerra-Piano, fluturova thikë përpjetë e deri këtu! Paj, thashë a mos ka dikund shkallë deri në qiell, se do të kisha shkuar te Zoti i Madh, e do të isha ankuar! Madje, isha ankuar edhe për tërë atë mizerje. Por, këmbët e mija të forta, e më sollën deri këtu”! – dhe i nxorra pak këmbët për t`i rrahur. I rraha pak dhe i pashë se kuzhina i kishte disa kuzhinierë, të cilët kishim dalur për të më parë. Edhe Ludoviku i gjatë e bjond, ishte në kuzhinë. E njoha më mirë, e më vonë e bëra mik. Të gjithë qeshën, sa nuk qeshet më tepër, sidomos vajza e vogël, që ishte gazmore.
Dikur, ajo shërbysja moshatare, ma bëri me dorë që të shkoja së bashku me te, tek ato vajza. Por, ende po qeshej. Edhe unë u qetësova.
“Këmbët më kanë sjellur deri këtu! Te vajzat, nuk është larg”! – thashë vetë, duke shkuar. Prej asaj minute më kanë mbetur si shoqet më të mira! Ishin bijat e Joe Pasquetto, anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Hotelierëve të Zvicrës. Patricia quhej ajo më madhja e më bukura. Ndërsa Donatela, ishte më vogla. Të shkolluara ishin dhe inteligjente. E madhja ishte në fakultet, e vogla i mësonte gjuhët botërore, edhe anglishten.
Atyre, ua kisha thënë të vërtetën për mua, trup e shkurt, çuditërisht edhe me humor. E madhja, që ishte një vit më e re se sa unë e inteligjente, e nxori se jam poet i mirëfilltë, por shteti prej nga erdha më ndiqte prej Atdheut të coptuar, e më ndjekte edhe nëpër mërgatë, me njerëzit e tyre. Ku nuk e pritje, ishin ata, prej rrethit të afërm.
“Do t`i thojmë babait tim, për këtë punë, mos u shqetëso! Ai, e ka në dorë! Nëse nuk mundesh këtu, do të sigurojë ndonjë vend tjetër! Dije, se ke ardhur te miqtë tuaj, ndonëse ke fluturuar lartë”! – më tha me qeshje dhe pa të meta, vajza e madhe, Patricia, të cilën në kujtesë e shoh si ka qenë atëherë.
Çervishët e dervishët e thonë të gjithë: “Në mes të sherrit është hajri[6], e midis hajrit është sherri”. Prej së poshtmi më zuri sherri, e më dërgoi lartë.
Se si kam punuar apo si nuk kam punuar në vitin tjetër, që është viti më i tmerrshëm dhe jam mjaft i anazhuar, madje prej Tiçinos, me një vajzë tjetër nga Giubiasco, “Laura”, prej Ferizajit, por familja e gjërë dhe rrethi ynë më shikon edhe sot nëpër fjalët e pavërteta të dajës “së dashur”, që gënjente pa fund, siç ia diktuan “shefat” e vet, prej fesë apo prej pushtetit, në përplasjen tonë të dytë, dhe të treten herë në Schlieren, kur desha ta vras, sepse nuk më la askund vend nëpër Zvicër e nëpër Kosovë, duke i shkepur fjalët, si me porosi. Atëherë, erdhi Baba i Nënës prej Kosove, sepse e kisha thirrur unë, dhe dajën tim të madh, prej nëne dhe prej babe, i ardhur prej Seri-Jorkit të SHBA-ve, ose që të ma largonin e të ma hiqnin prej qafe atë djalë të tyre dhe gjysëm-vëlla për dajën tjetër, sepse unë do ta vrisja! Edhe daja im, prej Seri-Jorkit, që gallavitej bukur, në ilahi[7] të shehut të vet, ishte bërë “myhyb”[8] i tij, shkonte shumë mirë me te, madje edhe në politikë, se sa me mua…
Donatela vinte me motoçikletë deri në restorant e më merrte, deri sa u krye puna ime në “Ristorante del Ponte”. E Patricia, apo punëtori i tyre, më merrnin ndonjëherë edhe në muzikë, sepse nuk kisha as të holla.
“Nuk punoj më, te ju” – i them shefit tim. “Kam marrë punë, tjetër kund” – dhe nuk i tregova aq shumë. E njihnin vajzën, që më merrte me motoçikletë.
Ajo, e gjora, e buzëqeshura çdo herë, e kishte të fejuarin e vet, që e kishte pranuar, e asnjëherë nuk kam dëgjuar se i kishte thënë ndonjë gjë. Shpesh vinte me ne. Edhe i fejuari i saj ishte me sjellje shumë të mirë! Ishte shumë i qetë, fliste pak, e ndonjëherë i buzëqeshur…
Më vonë, e kam dëgjuar prej të tjerëve se baba im dhe babai i nënës sime, një ditë kishin shkuar në teqe, te Sheh Fylli, ekstra, për ta pyetur.
Si i ri, e kishim të njohur të dhënën zyrtare, se Sheh Fylli ishte i njohur gjatë LNÇJ-së, si postier i vetëm, te Qamil Kodra…
Normalisht, i binte biseda me babain e nënës sime, se sa me babën tim. Dikur, ishte detyruar që ta dëgjojë edhe babën tim:
“Ma keni marrë djalin tim nëpër brina, nuk po i ndjehet zani” – i thotë njëherë, më e para.
“Për çka e keni fjalën? Nuk e kuptova mirë” – iu përgjegj Shehi, menjëherë e pak më serioz apo më i mbyllur, në vetvete.
“Djali im i pari, e nipi i Selim Seferit, a po të kujtohet”?! – e kishte pyetur seriozisht babai im e me tërë qenien e vet i koncentruar, pa asnjë qeshje, si para pushtetit. “A e di se unë ia kam nxënë nusen, në Vimokaz, te myhybtë tuaj, dhe ai nuk po mundet ta lajë?! Ku i kam të hollat unë”?!
“Gjithësecili, në vend të vetin janë! Vjen e shkon apo shkon e vjen, siç do Zoti…” – i ishte përgjegjur Shehu, ngadalë, pa e pasur të qartë tërë punën se ku do të dalë. Po i rrotullonte kokrrat e tespihëve në dorë, një nga një.
“Sheh, unë e kam seriozisht: për njëren anë, ti ia ke vënë pas shpinde të zezat, me djalin e Selim Seferit e Dervishin e Zhorinës! Ju e keni vesh Rezil Agën e Madh! Por, as pushteti nuk ndalet, e as të tjerët! Unë e kam djalin më të madh dhe shpresën e familjes sime. Ai po shkruan nëpër gazeta, ndojherë rrallë, por as me fakultet nuk u bë e as shkrimtar. Hupi, atje, në perëndim! A e di, Sheh”?! – ia shtroj baba im, me pyetje të thekshme.
“Të gjitha çka i di ti për djalin tënd, Selimi, miqtë tuaj, nuk i di unë! Diçka i di dhe ndonjë gjë e kam dëgjuar. Jo as me tëpër e as më pak. Bile, sa e njeh ti djalin tënd, nuk e dimë ne!” – ia shtroj edhe Shehu, trup e shkurt, sikur të mos kishte asgjë të keqe në fjalët e tij.
“Besa ju, Sheh, e njihni më tepër se unë, sepse i keni lidhjet me pushtet! Këto, unë nuk i di! Çka e njoh unë e çka më thotë djali ndojherë, është tjetër! Shkurt e trup: atij iu kanë vardisur të ligat! Nuk po i shihet e mira! Jam lodhur me këto të zeza” – ia kishte kthyer prap baba, me këto fjalë.
“Pai, të duket ashtu!… Larg syve thonë, e afër zemrës!… Ai djalë, ka pasur zhurakamën prej pushtetit, e herën e parë shpëtoj prej arrestimit!… Si duket, edhe atje, nuk po i ecka puna mbarë!… Ndëgjoni: do ta shikojmë edhe njëherë këtë punë! Po i ndihmojmë, sa të jetë e mundur!… A e morët vesh, edhe ju?!… Ju Nebih, duhet që t`ia veni mendjen hedi, sepse dikur bëhet vonë! Të mos shkojë dëm, djali yt!…” – kishte shtuar shehu, duke u menduar dhe duke u ndalur, me tespitë në dorë.
Çka ishte midis tyre pa fjalë, e merrnin vesh apo e paramendonin edhe të pranishmit. Pështjellët po shkonte puna e djalit. E çka të bënte babai?!…
“Ani! Faleminderit, edhe prej juve, Sheh!… Po mundohem që ta lajë nusen e tij, me çdo send! E kur të bëhet vet i dyti, ndoshta i qetësohet mendja. Por djali më i madh e shpresa e familjes, po më mungon! Kur mungon ai, mungojnë të gjitha, e edhe të hollat! Nusen e nxanun, e djalin të humbur! A bëhet kjo punë, pashë Zotin, atij i qofshim falë”?! – dhe luhet baba prej vendit, në shenjë respekti e të përkuljes. E dërgoi dorën te portofolli dhe i nxori pesë dinarë, të letrës. Ia lëshoi shehut përpara, me gjithë kundërshtimin e tij. “Ai nuk beson shumë në fetarë, por Zotin e njeh dhe e respekton. Nuk e them që t`i shkruash, por duhet që ta shikosh punën e tij! Djalin më të madh e kam, por edhe hallin tim, sa nuk dihet që po më rritet!… E bëftë Zoti mirë!…”.
“Bëhet mirë, bëhet mirë, … në emër të Zotit” – u tha më në fund, pas disa çastesh Shehu. Të gjithë, po mendoheshim. Nuk kishte fjalë të tjera…
A mund të fluturoje nëpër hapësirë e të ishe kudo, që kishe nevojë?! Jo!…
Kjo botë, ishte shumë e padijshme! Sillej puna deri te kapja me dorë, e ajo ishte shkumë ajri, fluska në ajr, por dhembjen nuk e tretshin.
T`i shohësh nga prizmi im, këto gjëra përplaseshim të gjitha, ndaheshin e bashkoheshin, përplaseshin prap me njëra tjetrën, e në fund, në dorë tënden nuk kishe asgjë të zënë. Prandaj, të dukeshin fluska ajri…
Katrahura e dhembjes ishte aq e madhe, sa të pushtonte zemrën. Kujtesa ngjallej për krijuesit, sa ta ngarkoje mendjen. Dashurinë e kishe të madhe, për të gjithë njësoj. Ata ndërrojnë në bazë të rrotullimit të kohërave dhe të dalin përpara.Ti, nëse je krijues, të gjitha do t`i përcjellësh.
Të gjitha, në paç kohë!…
[1] Fjalë turke, haber=lajmërim. Thuhet këtu, me ironi.
[2] Nga turqishtja, dallavere=mashtrim, intrigë, ngatërresë.
[3] Turqisht, hismet=shërbim, këtu e ka kuptimin ironik.
[4] Është e zhargonit gegërisht, që do të thotë se e mbaroj, e përfundoj, p.sh. “nis e bitis“.
[5] Sheitët i kishin këto të holla “si shërblim“ prej njerëzve, në bazë të mundësisë që kishin. Ata kërkonin ndihmë apo këshilla për gjëra të ndryshme. Shumica shkruanin hajmali (nuska) apo bënin rituale magjike…
[6] Fjalë persishte apo e lindjes dhe turke: hayir=bamërisi, fat, lumtumirësi…
[7] Ilahitë janë këngë të dervishëve dhe e kanë për detyrë t`i dehin me fjalë besimtarët, në të thënat e tyre. Të shkruara e të botuara edhe në gjuhën shqipe. Origjina e tyre vie prej persishtes e mund ta gjëni në “Lexikon des Islam“, të Thomas Patrick Hughes, Fourier, Weisbaden 1995.
[8] Nuk e gjëj në asnjë fjalor, por do të thotë antar i shehut apo i dervishit, sepse edhe ata po bëjnë “myhyb”…