Këngëtari dhe studiuesi i këngës fierake, Timo Lule “Nder i qarkut”

Interpretuesi dhe studiuesi i këngës qytetare fierake, Timo Lule u nderua sot me titullin “Nder i qarkut Fier”.

Ky titull iu dha Lules nga Këshilli i qarkut Fier me motivacionin për kontribut të paçmuar në ngritjen e grupeve artistike në të gjithë qarkun.

Në ceremoninë e organizuar nga bashkia e Fierit nënkryetarja, Gentiana Cakrani, e vlerësoi Timo Lulen dhe përgëzoi nismën, si një akt vlerësues i domosdoshëm për personalitetet që lënë gjurmë me veprimtarinë e tyre.

Timo Lule lindi më 18 janar të vitit 1926, në një familje me emër në qytetin e Fierit. Nën shembullin e prindërve të vetë, të dalluar për patriotizëm, dashuri për njerëzit, por edhe për këngën qytetare fierake, djaloshi Timo bëri gjithçka për të ruajtur dhe çuar më tej emrin e familjes.

Dhe rruga e vetme që ai zgjodhi për emancipimin kulturor e shoqëror të bashkëqytetarëve të vetë, ishte pasioni dhe këmbëngulja e tij krijuese në interpretimin dhe këngës qytetare të qytetit të Fierit.

Timo është jo vetëm krijues e interpretues i këngës, por edhe mjaft i ndjeshëm e i kujdesshëm në studimin, dhe mbledhjen e gjitha krijimeve e teksteve të këngëve qytetare fierake, i cili me një vullnet e përkushtim deri në vitin 1980 regjistroi rreth 240 këngë, të cilat ia dërgoi Institutit të Folklorit në Tiranë.

Pas një pune të gjatë studimore e shkencore, në korrik të vitit 2009 botoi librin “Fieri dhe Kënga”. Një libër me mjaft vlera për historinë e këngës, për studiuesit, mësuesit e muzikës, kompozitorët dhe interpretuesit. /atsh

Loading...