Në një takim elektoral me banorë të Burrelit, Rama tha se “po kërkohet rrëmujë dhe kaos për të goditur jo mua personalisht, apo kundërshtarin politik, por për të goditur të vetmen forcë që derisa të kemi frymë, do të jetë mbështetësja e palëkundur e Reformës në Drejtësi dhe e zbatimit të saj”.
“Do të kalohet nga ligjet tek gjyqet, nga shpresa dhe nevoja e madhe e shqiptarëve për të parë drejtësinë, të bëjë drejtësi tek drejtësia që nuk pyet më sa i gjatë apo i shkurtër je, pasi sa më i madh të jesh, aq më frikë do të kesh drejtësinë. Ata duan ta fusin këtë vend në kaos që të mos merret vesh ka apo jo zgjedhje dhe pastaj thonë hajde ta zgjidhim tani, dhe ta shohim këtë Reformën në Drejtësi”, – tha Rama.
Duke komentuar protestën e opozitës, Rama tha se “mbrëmë opozita e rrugës ishte më e pakët se asnjëherë në bulevard, pavarësisht se ata sa më shumë pakësohen aq më shumë shtrihen në bulevard si çamçakiz”.
“Është e qartë se gjithmonë e më pak njerëz i ndjekin në atë rrugë pa rrugë. Qeverinë vetëm vota e popullit e rrëzon”, – tha Rama./atsh