Këshilla për prindërit/ Si të sillemi me adoleshentët

Në më të shumtën e rasteve, bashkëjetesa me një adoleshent nuk është gjëja më e thjeshtë, kryesisht sa i përket mënyrës së komunikimit dhe sjelljes me ta.

Jo pak herë, prindërit nuk dinë si t’i afrojnë, si t’u flasin, si të përballojnë vështirësitë e kësaj moshe delikate.

Për shumëkënd, të qenët prind, ndoshta përbën misionin më të vështirë në jetë, por dhe më të këndshmin njëkohësisht (do të shtoja unë) nëqoftëse mësohet si të mënjanohet egoizmi dhe rreptësia e panevojshme! Ka disa parime të thjeshta, të cilat nëse ndiqen pa ndrydhje e mëdyshje, me siguri do të sjellin përmirësime rrënjësore në marrëdhënien prind-fëmijë:

Bashkëbisedoni dhe kryesisht dëgjojini. Dëgjojini pa i kritikuar. Bashkëbisedimi i shëndetshëm është e vetmja mënyrë për të rrëzuar “murin” e largësisë shpirtërore. Komunikimi i sinqertë e pa tone të larta hap shtegun e edukimit të mirë.

Respektoni personalitetin e tyre dhe trajtojini me kujdes e mirësjellje. Mos e teproni me këshilla para shokëve të tyre, mund t’i sillni në pozitë të vështirë.

Interesohuni për mbarëvajtjen e tyre në mësime. Përgëzojini për arritjet në shkollë, dhe kurrë mos i përçmoni për dështimet e mundshme. Shmangni krahasimet me bashkëmoshatarët e tyre, dhe mbi të gjitha, mbështetini sa më shumë që të mundeni.

Njihuni me miqtë e tyre. Shprehja e urtë popullore: “Më thuaj me kë rri që të të them se cili je”, është shumë e drejtë. Në bazë të shoqërisë së krijuar, do të kuptoni më shumë në lidhje me mënyrën e të menduarit të fëmijëve tuaj.

Caktoni kufij të qartë. Mbani qëndrim të ekuilibruar, në mënyrë që të mos shfaqni as rreptësi dhe as elasticitet të tepruar.

Gjatë adoleshencës, fëmijët kalojnë në fazën e autonomisë. Lerini të vendosin vetë për veten e tyre, të testojnë forcat e veta. Kjo do të përmirësojë vetëvlerësimin dhe vetëbesimin e tyre, elementë të nevojshëm për formimin e karakterit dhe personalitetit të tyre.

Qëndrojuni pranë. Fëmijët kanë nevojë për sigurinë prindërore. Edhe nëse gabojnë, mos i gjykoni, as mos i ndëshkoni ashpër! Mundohuni t’u shpjegoni me butësi dhe argumente të drejtën, dhe se duhet të jenë të gatshëm të pranojnë dhe pasojat e veprimeve të nxituara, apo të pamenduara mirë.

Caktojuni synime realiste, të cilat përshtaten dhe përputhen me aftësitë e tyre, synime të arritshme. Mos u kërkoni fëmijëve të bëhen dikush që nuk munden!

Mësojini fëmijët të pranojnë dhe respektojnë diversitetin. Të jenë të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm. Të mos para-gjykojnë askënd për asgjë. Çdokush zgjedh ta jetojë jetën ashtu siç do vetë!

Bërja e gabimeve është e pashmangshme! Me dashuri, mbështetje dhe durim do të mësojnë të bëjnë më pak. Mos harroni, dikur keni qenë edhe ju fëmijë. Ndihmojini adoleshentët e sotëm që nesër të krijojnë kujtime të bukura si të rritur!

Loading...