Këshilli i Qarkut të Vlorës vlerëson dramaturgun Bashkim Kozeli me titullin: “Personalitet i shquar i Qarkut të Vlorës”.
Gjatë një ceremonie sot në sallën e Bibliotekës “Nermin Vlora Falaski” të Universitetit “Ismail Qemali”, Këshilli i Qarkut të Vlorës, me propozim të Shoqatës Atdhetare Kulturore “Labëria” dega Vlorë, nderoi me titullin e lartë; “Personalitet i Shquar i Qarkut të Vlorës” dramaturgun e shquar Bashkim Kozeli.
Merrnin pjesë personalitetet të letrave, miq dhe koleg të zotit Kozeli, familjar, autoritete vendore etj. Takimin e ka hapur Kryetari i Shoqatës “Labëria” dega Vlorë zoti Ahmet Demaj, i cili ka shprehur kënaqësinë e shoqatës që drejton, propozimi i të cilës u morë në konsideratë nga këshilli i Qarkut të Vlorës.
Më pas fjalën e ka marrë Mjeshtri i Madh, Prof. Dr. Bardhosh Gaç, i cili u ndal te vlerat e Bashkim Kozelit si njeri dhe si krijues, ku spikat një qytetari e lartë në dije dhe kulturë. Kanë folur më pas poeti, Dr. Neki Dredha, aktori Jorgaq Tushe, poeti dhe studiuesi Albert Habazaj, shkrimtari dhe studiuesi Çlirim Hoxha, shkrimtari Eqerem Canaj etj.
Sekretari i Këshillit të Qarkut i ka dorëzuar dramaturgut dhe poetit Bashkim Kozeli titullin e lartë; “Personalitet i Shquar i Qarkut të Vlorës”.
Dramaturgu Bashkim Kozeli ka falënderuar të pranishmit, Shoqatën “Labëria” për propozimin, Këshillin e Qarkut të Vlorës për vlerësimin dhe familjen për mbështetjen e vazhdueshme.
Bashkim Kozeli lindi në vitin 1942 në Ersekë. Shkollën fillore dhe atë 7 vjeçare i kreu në shkollën “11 Janari” (sot Edit Durhami”) në Tiranë. Pas mbarimit të shkollës ushtarake “Skënderbej”, vazhdoi studimet për pilot në ish Bashkimin Sovjetik, por i ndërpreu ato për arsye shëndetësore. Më pas u arsimua për sinoptikant, profesion të cilin e ushtroi për disa vite si pedagog në Shkollën e Aviacionit në Vlorë. Angazhimi i tij i suksesshëm në letërsi, kryesisht në dramaturgji, bëri që në vitet në vazhdim të punonte në sektorët e kulturës dhe edukimit në radhët e ushtrisë, deri drejtor drejtorie i këtij sektori në Ministrinë e Mbrojtjes gjatë periudhës 1992-2000. Mjaftë kohë ka qenë shkrimtar në profesion të lirë. Mbi dhjetë drama të Bashkim Kozelit janë vënë në skenë nga teatrot profesioniste të Vlorës, Gjirokastrës, Fierit, Korçës, Shkodrës, (katër prej të cilave edhe në teatrin kombëtar Tiranë). Ndër to mund të përmendim: “Shokët” (1968), “Sinjali i kuq” (1971), “Si u kalitëm” (1974), “Lidhur si fishek gjerdani” (1981), “Troket historia” (1982), “Buzëqeshjet e një mbrëmjeje” (1985), “Pavdeksi” (1987), “Ustai” (1995), “Ora e mbetur” (2007), “Ëndrra e Ismail Qemalit” (2012), “Nanë Tereza kur ishte Gonxhe” (2016).
Bashkim Kozeli është skenarist i disa filmave artistik të Kinostudios “Shqipëria e Re”, si “Në emër të lirisë” (1987), “Pas takimit të fundit” (1989), “Pleqtë e hashashit” (2010), si dhe seriali televiziv me 10 pjesë “Dhimbja e dashuurisë” (2009). Bashkim Kozeli ka fituar disa herë çmime e urdhra si dhe vendin e parë në konkurset kombëtare të dramës në vendin tonë. Është gjithashtu autor i mjaftë librave me poezi dhe shkrimeve për etikën e kulturën.
Drama “Sinjali i Kuq” e Bashkim Kozelit vënë në skenat e Teatrit “Petro Marko” të Vlorës (1971) nga regjisori i talentuar Piro Sava dhe në Teatrin Kombëtar (Popullor) mbanë rekordin e shfaqjeve me një jehonë maksimale. Gjithashtu do të veçoja dramën “Lidhur si Fishek Gjerdani” vënë në skenën e Teatrit “Petro Marko” të Vlorës në vitin 1981 nga regjisorët e famshëm Pjetër Gjoka e Lazer Filipi dhe me aktorët e mëdhenj Kadri Roshi, Liza Laska, Albert Veria, Agim Shuke, Vasillaq Godo etj, bëri që spektatorët në sallë të elektrizoheshin. Imagjinoni, si te “Sinjali i Kuq” dhe te “Lidhur si Fishek Gjerdani” nuk gjeje dot bileta në sportel. Kërciste grushti në sportelin e biletave kush e kush të blinte një biletë, aq sa u ndan me autorizim në ndërmarrje.
Respekt pa kufi për njeriun e mirë Bashkim Kozeli për dramaturgun e famshëm Bashkim Kozeli.
Këshilli i Qarkut të Vlorës vlerëson dramaturgun Bashkim Kozeli me titullin: ‘Personalitet i shquar i Qarkut të Vlorës’
Loading...