Një vajzë 15-vjeçare nga Oklahoma City vdiq javën e kaluar nga mbidoza e Benadryl-it, pasi ajo mori pjesë në një sfidë në TikTok, të njohur si ‘Sfida Benadryl.
Kjo është një lojë e re në të cilën adoleshentët në aplikacionin ‘TikTok’ inkurajohen të marrin sa më shumë ilaçe alergjie, në mënyrë që të kalojnë në gjendje të pavetëdijshme. Sipas mediave britanike, gjendja e tyre arrin deri sa përballen me halucinacione.
Benadryl-i është medikament, i cili përdoret si anti-histaminë për trajtimin e reaksioneve alergjike. Viktima e qytetit të Oklahoma, identiteti i së cilës nuk është bërë e ditur, u përshkrua si një adoleshente e lumtur dhe se nuk kishte bërë më herët ndonjë eksperiment me ilaçe. Megjithatë mbidoza i shkaktoi sulm në zemër.
Nga ana tjetër, TikTok nuk ka reaguar ende në lidhje me këtë ngjarje të rëndë. TikTok është një aplikacion për shpërndarjen e videove në internet dhe zotërohet nga një kompani kineze.
Ai po shkarkohet dhe përdoret me ritme të shpejta në mbarë botën, nga fëmijë e të rritur, duke ngjallur shqetësime për një mjedis toksik në botën e internetit.