Çdo javë që i paraprin 13 Qershorit, mbi lartësitë kodrinore përreth Laçit, sheh mijëra besimtarë të bashkohen në Kishën e Shna Ndout.
Kisha e Laçit mban emrin e meshtarit françeskan Shën Antonit të lindur në Lisbonë në vitin 1195, i cili jetën mbi tokë ia fali besimit tek Zoti dhe përhapjes së shpresës tek njerëzit.
Mësuesi shenjtor Shna Ndou i Padovës (siç njihet në literaturën kishtare) njihej për dijet e thella, aq sa Papa Gregori IX e quajti “Arka e gjallë e Biblës”.
Shenjti shërbeu nën urdhrin Françeskan pavarësisht se lindi në një familje me titull mbretëror në Portugali, çka e bën figurën e tij të respektuar nga një popull i tërë.
Ai refuzoi të jetonte si pasardhës i fisnikëve dhe jetën e kaloi duke shpërndarë fjalët e Ungjillit.
Shërbimet e tij të devotshme ndaj kishës katolike dhe ndihma pa kursim ndaj nevojtarëve e sollën edhe në Shqipëri, ku ju dedikua një nga kishat më të njohura, e cila nderon emrin e tij.
Kisha e Laçit u ndërtua nga françeskanët në vitin e largët të 1300-ës, disa dekada pas ngjitjes në qiell të portugezit të shquar. Pas shumë shekujsh, vetëm komunistët guxuan ta prishnin pjesërisht në vitin 1971, por dështuan. Në kodrën shkëmbore sipër qytetit, ende imponohet kompleksi me të përpjeta në shkallë.
Shqiptarët besonin tek Meshtari i Mrekullive dhe çdo vit ngjisnin kodrën fshehurazi për të kërkuar ndihmën e tij, pavarësisht rregjimit komunist. Sot, i gjithë procesioni i ngjitjes së njerëzve në Kishën e Laçit është mbresëlënës, aq sa ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare.
Pasi viziton kishën, shumë zbresin në “Shpellën e Shën Vlashit Martir” por ka të tjerë pelegrinë që i luten shenjtit kur ndalojnë tek vendi i qirinjve. Kisha përfaqëson, në historinë e para viteve ’90, një nga hapësirat më të martirizuara sepse aty mijëra lutje të dala nga zemra ju drejtuan meshtarit për ndihmë.
Kisha është lehtësisht e arritshme nëpërmjet rrugëve kombëtare si nga Aeroporti “Nënë Tereza” ashtu edhe nga çdo qytet tjetër i Shqipërisë./IntoAlbania