Shtëpia e zotit, apo siç njihet Kisha e Thethit është një kurorë në bukuritë natyroreë në Theth dhe tërheq mjaft vizitorë vendas dhe kryesisht të huaj.
Administrata e Zonave te Mbrojtura, Shkodër sjell historinë e ndërtimit të shtëpisë së Zotit, Kishës së Thethit që daton në vitin 1909.
Gjurmët e kishës së vjetër datojnë në vitin 1892 dhe në po atë vend shtëpia e Zotit u ringrit në formën që ka sot, modeste por shumë e dashur. Famulltari i parë i kishës dikur jetonte pranë saj por kohët e reja që sollën edhe rindërtimin, e bënë Kishën e Thethit shtëpinë e të gjithë malësorëve të luginës. Historia e kishës është e lidhur me emrat e patriotëve e klerikëve shqiptarë që iu dedikuan atdheut dhe kulturës kombëtare, si për shembull At’ Shtjefën Gjeçovi, i cili ka shërbyer edhe në këtë kishë.
Gjatë diktaturës kisha u mbyll. Objektit iu ndryshua destinacioni duke e përdorur për shërbime komunitare. Kisha ka marrë formën e dikurshme, ngrihet e urtë mbi luginë dhe rrezaton fuqinë e dashurisë për Zotin dhe jetën. Ndërtimi i përshtatet karakterit të arkitekturës së malësive të thella. Ndërtesa është e tipit kullë që mbështetet në një kolonë masive ku kulmon kryqi katolik. Pjesa e pasme e kishës vjen në formë gjysëm rrethore, mbuluar po nga një çati rrethore që hyn butë në mënyrë harmonike tek mbulesa e madhe e ndërtesës kryesore.
Kisha e Thethi është si një shenja orientuese e turistëve në Alpet Shqiptare, është ndalesa që bekon udhëtimin. /atsh