Ekipi i basketbollit të Partizanit të Beogradit nga Serbia nuk është lejuar të hyjë sot në Kosovë.
Të njëjtit janë ndaluar në pikën kufitare të Jarinjës.
Ata planifikonin të zhvillonin një përballje miqësore me ekipin serb të Trepçës.
Mirëpo, për shkak të një vendimi nga ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të njëtjëve u pamundësohet që të marrin pjesë në gara pa pëlqimin e federatave respektive vendore.
Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net dhe Jetlir Zyberaj, këshilltar i minstrit të Jashtëm Pacolli, i cili edhe ka thënë se MPJ-ja nuk e ka bërë ndalimin e tyre.
Ndërkaq Samir Hoxha, Këshilltar i lartë politik i minsistrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka thënë se vendimi në fjalë është marrë për shkak të mos lejmit të paralelizmave në sportin vendor.
“Është e vërtetë, ekipet nga jashtë nuk mund të marrin pjesë në gara pa pëlqimin e federatave vendore. Vendimi është marrë për shkak se nuk mund të lejojmë paralelizma dhe në sport”, ka thënë Hoxha.
E ndërkaq, nga mediat serbe është raportuar se në pikën kufitare të Jarinjës është ndaluar edhe zëvendësdrejtori i të ashtuquajturës zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Dusan Kozarev. /Lajmi.net/