Banorët e Astirit kanë dalë si çdo mbrëmje në rrugë nga ku kanë hedhur deklarata kundër qeverisë, dhe kanë bërë thirrje gjithashtu ndaj qytetarëve të tjerë që ti bashkohen gjatë ditës së nesërme protestës së opozitës për të bllokuar akset rrugore kryesore në vend.
Njëri nga banorët u shpreh se ishte protesta e banorëve të Unazës së Re ajo që ia ka shkurtuar këmbët karriges së kryeministrit Edi Rama dhe se nuk do të ndalojnë deri në rrëzimin e tij.
“Nuk do ta lëmë këtë kauzë deri në ditët e fundit të jetës nëse është nevoja, do të fusin 20 në burg do të dalin 400 në rrugë. I kemi thënë se Unaza e Re do t’ia shkurtojë këmbët e karriges së tij por ai nuk e besoi. Prandaj ne nuk do të kemi mëshirë, nuk tërhiqemi deri sa ta rrëzojmë qebverinë e tij që drejtohet nga krimi dhe kriminelët. Ky nuk është shteti që duam, këta nuk janë shqiptarë, prandaj përgatituni për ti dhënë përgjigjen që meriton”, tha njëri prej banorëve.
Protestës së banorëve të Astirit i është bashkuar edhe ish-deputeti, Klevis Balliu i cili tha gjatë fjalës së tij se opozita do të luftojë me çdo çmim dhe me çdo mjet për të zhdukur Edi Ramën nga pushteti. Ai vijoi duke thënë se qytetarët do të bllokojnë vendin kundër qeverisë duke i konsideruar protestat si pjesë e një revolte që sipas tij nuk ka ndodhur kurrë në histori.
“Ne do të luftojmë me çdo çmim dhe çdo mjet per ta zhdukur këtë faqezi. Ju ftoj nesër në orën 6 të vazhdojmë revoltën tonë . Revoltë që nuk ka ndodhur kurrë në histori. Asnjë parti nuk bllokon dot 12 qarqe. Qytatërët do bllokojnë vendin kundër një qeverie. Të jeni më se të sigurtë të gjithë ata skeptikë se ky është vetëm fillimi, protesta do të jetë deri në shfarrosjen totale të këtij regjimi”, tha Balliu.