Klosi – “Me aeroportin e Vlorës nis faza e re e ndërtimit të hoteleve”

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi deklaroi sot se ndërtimi i aeroportit ndërkombëtar të Vlorës do ndihmojë për të arritur objektivin tonë, 10 milionë turistë në vit.

Gjatë aktivitetit të mbajtur sot në sallën COD në kryeministri ku u prezantua hapja e garës për ndërtimin e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës, Klosi tha se Shqipëria po shndërrohet me shpejtësi në një destinacion turistik.

“Ne këtë vit pranojmë mbi 6.3 milionë turistë të huaj dhe krahasuar me një vit më parë është 10% më shumë se vitin e kaluar, por përsëri shikojmë sa shumë e kemi të kufizuar momentin e pikut të sezonit për dy arsye. E para për mungesë të infrastrukturës akomuduese dhe e dyta të infrastrukturës aeroportuale.

Investimet që do të realizohen në zonën e Vlorës edhe promovimi në mënyrë krejt tjetër, tashmë i mbështetur me një investim kaq të madh si aeroporti i ri i Vlorës do ta shndërrojmë edhe destinacionin e Vlorës dhe të gjithë bregut të Jugut të Shqipërisë në një destinacion shumë të arritshëm nga operatorët turistik”-tha ai.

Klosi tha se “shtimi i investimeve të menjëhershme dhe fillimi i punimeve për aeroportin e ri të Vlorës më 31 maj, do të na bëj gati për të filluar një moment të ri, një fazë të re të ndërtimit të dhjetëra hoteleve në të gjithë zonën”.

“Ajo që po ndodh për botën e turizmit është një lajm i jashtëzakonshëm, lajm që i vjen shumë mirë dhe situatës të cilës ndodhemi pas tragjedisë së tërmetit të datës 26 nëntor, tragjedi që dëmtoi familjet.

12 mijë familje u gjendën pastrehë, dëmtoi një zonë të tërë për sa i përket raportit me jetën, raportit me pasurinë, pronën, jetët e humbura, por një nga sektorët që mund të marri goditje është sektori i turizmit, prandaj kjo politikë e re do të ndikojë në mënyrë të jashtëzakonshme në promovimin e Shqipërisë turistike ku objeksioni ynë është 10 milion turistë, pra në fillimet e dekadës 2020-2030. Pra përfundimi i aeroportit do na bëjë që Shqipëria do të ketë mundësi të pres mbi 10 million turistë që është i rëndësishëm për ekonomin e vendit tonë”, theksoi Klosi./atsh

Loading...