Kolonel Altin Kurti ka marrë sot deytrën si komandanti i ri i Policisë Ushtarake
Në mjediset e Policisë Ushtarake u zhvillua të hënën ceremonia e ndërrimit të komandantit të kësaj njësie të rëndësishme të Forcave të Armatosura. Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast morën pjesë shefi i Shtabit të Përgjithshëm gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, ushtarakë të lartë të FA dhe efektivët e Policisë Ushtarake.
Ceremonia u hap me leximin e urdhrit të ministrit të Mbrojtjes, për emërimin e kolonel Altin Kurtit, në detyrën e komandantit të Policisë Ushtarake, detyrë të cilën deri tani e mbante kolonel Ekland Dauti.
Në fjalën e tij përshëndetëse kolonel Ekland Dauti, falënderoi të pranishmit për bashkëpunimin dhe mbështetjen e marrë përgjatë këtyre dy viteve si komandant, për të realizuar me sukses detyrat dhe misionin e Policisë Ushtarake. “Plot dy vite më parë mora detyrën e komandantit të njërës prej strukturave më speciale dhe elitare të Forcave të Armatosura. Përgjatë kësaj periudhe prioritet kryesor kanë qenë rritja dhe zhvillimi i kapaciteteve operacionale, për ta bërë Policinë Ushtarake një njësi tërësisht profesionale dhe të aftë në përmbushjen e misionit dhe detyrave të saj”.
Në përfundim të fjalës së kolonel Dauti falënderoi Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm për mbështetjen e dhënë në kryerjen e detyrës si dhe i uroi kolonel Kurtit, punë të mbarë dhe sukses në detyrën e re si komandant i PU.
Komandanti i ri i Policisë Ushtarake kolonel Altin Kurti shprehu falënderimet e tij për Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm të FA, për vlerësimin dhe besimin e treguar me emërimin e tij si komandant. “Ndihem i nderuar dhe i privilegjuar për detyrën e marrë si komandant i PU. Kjo detyrë, për mua është një mision i veçantë dhe i rëndësishëm që mban në vetvete një përgjegjësi të madhe për shkak të rolit kryesor që ka Policia Ushtarake, në përmbushje të misionit kushtetues të Forcave të Armatosura, por edhe për shkak të detyrimeve që kemi si vend anëtar i NATO. Prandaj, të gjithë ne, duhet të veprojmë, si një ekip ku ka vetëm një rregull, ku secili kryen detyrën e tij në fushën e përgjegjësisë. Standardi i lartë që ju keni vendosur deri tani falë punës suaj dhe lidershipit drejtues në realizimin e detyrave, e bën edhe më të madhe përgjegjësinë për mua por edhe njëkohësisht edhe më të lehtë vazhdimësinë e suksesit të arritur nga Policia Ushtarake. Ndaj gjej rastin t’ju falenderoj për arritjet e deritanishme dhe t’ju inkurajoj për rezultate pozitive të mëtejshme.”
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, e nisi fjalën e tij përshëndetëse me falënderimet dhe mirënjohjen e tij për punën, profesionalizmin dhe arritjet e treguar nga kolonel Dauti për aq kohë sa ai drejtoi këtë njësi. Ai shprehu gjithashtu besimin e tij të plotë dhe i uroi suksese në detyrën e re, komandantit të Policisë Ushtarake kolonel Altin Kurti.
Më pas ceremonia vijoi me dorëzimin dhe marrjen e flamurit të Policisë Ushtarake. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, i dhuroi kolonel Ekland Dautit stemën e Policisë Ushtarake “Në shenje mirënjohje për kontributin e dhënë në Policinë Ushtarake”. /atsh