Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur këtë mbrëmje në Zall Herr të Tiranës.
Mësohet se pas një konflikti për motive të dobëta para një lokali në rrugë, një shtetas ka plagosur me pistoletë një 26-vjeçar, si dhe ka goditur me qytën e armës një 23-vjeçar.
Burime bëjnë me dije se autori i plagosjes është shtetasi Klodian Beshiri, me detyrë komando Zall Herr.
Mësohet se dy personat e plagosur ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërsa janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore.
Njoftimi i Policisë:
Ndërhyrja në kohë e Policisë parandalon përshkallezimin e konfliktit mes tre shtetasve.
Vihet në pranga autori i dyshuar i plagosjes me armë të 26-vjeçarit dhe plagosjes me qytë të pistoletës të 23-vjeçarit.
Para një ore në Zall-Herr, pranë nje lokali, në rrugë, shtetasi K.B., 34 vjeç, gjatë një konflikti për motive të dobëta ka plagosur me armë zjarri në kofshë, shtetasin R. Q., 26 vjeç dhe ka goditur me qytë pistolete në kokë shtetasin R. M., 23 vjeç, të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve pa probleme per jeten.
Ndërhyrja e menjëhershme e Policisë bëri të mundur kapjen dhe shoqërimin e autorit të dyshuar në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr.5 në Kamëz.
Në cilësinë e provës materiale është sekuestrua arma e zjarrit me të cilën autori kryeu plagosjet.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.