Koncerte të improvizuara polifonike për turistët në Pazarin e Gjirokastrës

Mbrëmjeve deri në orët e vona të natës, kënga tradicionale polifonike e Gjirokastrës dhe e rrethinave të saj, vazhdon të shëtisë në kalldrëmet e Pazarit për të kënaqur dhe tërhequr turistët.

Kjo është nisma më e re, e cila synon nxitjen dhe mbështetjen e grupeve polifonike në organizimin e disa koncerteve të thjeshta nëpër lokalet e pazarit karakteristik. Kjo praktikë e re është mirëpritur nga qytetarët, pronarët e lokaleve të pazarit, hotelierët, operatorët turistikë, por veçanërisht nga vetë turistët dhe vizitorët.

Çdo mbrëmje grupe turistësh të huaj, prej Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe qyteteve të Shqipërisë, rrethojnë artistët e folklorit dhe ndjekin me interes të jashtëzakonshëm këto koncerte të improvizuara. Ata kënaqen me muzikën e vjetër polifonike, bëjnë fotografi dhe video, duke marrë me vete vlerat e papërsëritshme të polifonisë shqiptare, tashmë të vlerësuara dhe mbrojtura nga UNESCO si vlera të Trashëgimisë Kulturore Botërore.

Netët e gushtit dhe shtatorit, me prezencën e këtyre grupeve polifonike shëtitës në Gjirokastër, kanë bërë që turistët krahas gatimeve dhe pijeve tradicionale, të shijojnë edhe tingujt magjik të sazeve dhe grupeve polifonike të njohura si: Grupi Ergjeria, Grupi i Sazeve, grupet foklorike të Antigonesë, etj.

Pazari i Gjirokastrës ka nisur kështu të gjallërohet dhe frekuentohet edhe më shumë nga qindra turistë të huaj që gjatë këtyre mbrëmjeve magjike arrijnë të argëtohen, të shijojnë, të marrin informacion dhe të krijojnë kontakte të drejtpërdrejta me vlerat më të mira të kulturës, traditës, muzikës me saze dhe polifonisë. /atsh

Loading...