Procesi i vetingut për Klodian Brahon-i përzgjedhur tashmë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për të qenë pjesë e SPAK-ut u krye nga trupa gjyqësore e drejtuar nga Xhensila Pine, me relator Roland Ilian dhe anëtare Valbona Sanxhaktarin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Ferdinando Buatier.
Klodian Braho ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës në vitet 2005-2008 dhe më pas është emëruar prokuror në Berat. Në vitin 2012, Braho u transferua në Prokurorinë e Vlorës ku mbajti edhe postin e zv.drejtuesit, ndërsa në vitin 2015 u dekretua në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
Paralelisht me punën si prokuror, Braho është angazhuar edhe në mësimdhënie apo si ekspert në Shkollën e Magjistraturës.
Ai u kualifikua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë mes kandidatëve për SPAK, por për t’u emëruar nevojitet vendimi i formës së prerë nga institucionet e vetingut.
Procesi i rivlerësimit për Brahon u krye për të tre kriteret. Lidhur me kriterin e pasurisë, Komisioni verifikoi burimin e krijimit të një apartamenti me vlerë 29 428 euro në Yzberisht, blerjen e një automjeti me vlerë 400 mijë lekë si dhe vlerat e likujditeteve në cash dhe bankë.
Apartamenti ka si burim të deklaruar një kredi bankare prej 2.8 milionë lekësh, huanë 5 mijë euro nga babai si dhe të ardhurat e tij nga puna.
“Pagesa është kryer me këste, ku vlera 5000 euro e marrë hua nga babai është paguar në momentin e porositjes së apartamentit. Subjekti nuk ka paraqitur dokumente provuese për të ardhurat e babait,” tha Ilia, ndërsa shtoi se shpjegimet e subjektit do të shqyrtohen para marrjes së vendimit.
Prokurori Braho shpjegoi në fjalën e tij se babai i tij, i vetëpunësuar në bujqësi i kishte mundësitë për të krijuar shumën e 5 mijë eurove. Ai kontestoi vlerësimin e të ardhurave të babait nga KPK me referencën më të ulët.
“Për shkak se u kërkuan të dhëna për të ardhurat e babait…, ai është i vetëpunësuar në bujqësi. Në atë kohë në familje ka qenë edhe vëllai dhe ka ekzistuar mundësia për krijimin e vlerës 5000 mijë euro, që më ka dhënë babai hua,” tha Braho para KPK.
Komisioni nuk ka konstatuar probleme në blerjen e një autoveture në vitin 2016 në vlerën 400 mijë lekë dhe as në vlerat e likujditeteve dhe kursimeve në cash. KPK ka verifikuar edhe një pasuri të babait të bashkëshortes së prokurorit Braho, e cila sipas relatorit ka rezultuar ashtu siç është deklaruar.
Lidhur me pastërtinë e figurës, si Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, ashtu edhe Komisioni nuk kanë identifikuar kontakte me persona me lidhje me krimin e organizuar. Prokurori Braho mori vlerësime pozitive edhe për profesionalizmin.
Në KPK kanë mbërritur 9 denoncime nga publiku në adresë të Brahos, për të cilat Ilia tha se subjekti ka dhënë shpjegime, të cilat do të vlerësohen para marrjes së vendimit