Kontroll blic në shtëpitë e gjyqtarëve që i lehtësuan dënimin Dritan Dajtit

Forcat Speciale kanë ushtruar kontroll blic, mëngjesin e sotshëm, në shtëpitë e 5 gjyqtarëve që lehtësuan dënimin e Dritan Dajtit.

Kontrollet janë ushtruar në kuadrin e operacionit “Forca e ligjit”, pas dyshimeve se gjyqtarët kanë abuzuar me detyrën: Dritan Dajti, i akuzuari për vrasjen e 4 policëve që sot janë shpallur Dëshmorë të Atdheut, i shpëtoi dënimit me burg të përjetshëm dhe u dënua me vetëm 25 vite burgim.

Kontrolli po ushtrohet në disa qytetete, në banesat e 5 anëtarëve të trupës së Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda: Skënder Damini dhe Petrit Aliu të Gjykatës së Apelit Vlorë si dhe Aleks Nikollit të Gjykatës së Apelit Shkodër.

Ministria e Drejtësisë e paralajmëroi pak ditë më parë, nisjen e hetimit disiplinor ndaj gjyqtarëve që dënimin me burgimin të përjetshëm për Dajtin e ulën në 25 vjet dhe njëherësh paralajmëroi: “Ju bëj me dije se reagimi i qeverisë ndaj kësaj vendimmarrje të paprecedent nuk ndalet, as këtu dhe, as me kaq.”

Nga deklarata e ministres:

“Nga verifikimet rezulton se trupi gjykues i Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda me vendimin të datës 8.02.2019, me shumicë votash me 3 anëtarë të trupit gjykues prej 5 anëtarësh, ka vendosur: Lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Renda Tiranë përsa i përket kualifikimit ligjor, por ndryshimin e këtij vendimi në lidhje me masën e dënimit, ku në aplikim të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale i pandehuri Dajti dënohet përfundimisht me 25 vjet burg.

Pas verifikimit paraprak kësaj çështjeje, si Ministre e Drejtësisë kam vlerësuar se ka vend për fillimin e hetimit disiplinor për shkelje të renda profesionale që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës, nga ana e gjyqtarëve Skënder Damini dhe Petrit Aliu të Gjykatës së Apelit Vlorë si dhe Aleks Nikolli i Gjykatës së Apelit Shkodër.

Për këtë arsye, i jam drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Inspektoratit me kërkesë zyrtare për fillimin e hetimit disiplinor dhe marrjen e vendimit të shkarkimit nga detyra ndaj gjyqtarëve të sipërpërmendur si dhe kryerjen e një hetimi të thelluar administrativ për këtë dosjes.

Nga verifikimet e kryera deri tani rezulton se:

Gjyqtarët e sipërpërmendur kanë pranuar një kërkesë për gjykim të shkurtuar në kushtet kur kjo kërkesë në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda ishte paraqitur jashtë afateve të parashikuara nga ligji. Sipas rregullave procedurale në fuqi në kohën e paraqitjes së kërkesës, kërkesa e të pandehurit për gjykimin të shkurtuar depozitohet të paktën tre ditë përpara datës së seancës të përcaktuar. Gjykata e Apelit për Krimet e Renda ka disponuar në kundërshtim me nenin 403 të Kodit të Procedurës Penale, në kushtet kur, kjo kërkesa është paraqitur pasi është deklaruar nga gjykata hapja e shqyrtimit gjyqësor në përputhje me parashikimet ligjore të procedurës penale.

Vendimi gjithashtu është në kundërshtim të hapur dhe me vendimet unifikuese të Gjykatës së Lartë, ku sipas këtij vendimi Gjykimi i shkurtuar ka vlerë për ekonomi gjyqësore, sepse thjeshton dhe shkurton procedurat, rrit shpejtësinë dhe efektivitetin e gjykimit.

Mbajtur në konsiderate të numrit të lartë të seancave gjyqësore në Shkallen e Parë edhe më tej edhe sagën e proceseve gjyqësore për një periudhë pothuajse 10-vjeçare, të cilët kanë vendosur burgimin e përjetshëm, nuk justifikojnë vendimmarrjen për gjykimin e shkurtuar në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda.

Duke analizuar këto sa përmenda më sipër, dhe argumente të tjerë ligjorë, kërkesa e Ministrisë se Drejtësisë është depozituar ditën e sotme pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor për një hetim të thelluar të dosjes dhe vendimmarrjen përkatëse ndaj gjyqtarëve.

Jam besimplotë se KLGJ do të veprojë shpejt duke marrë të gjitha masat e nevojshme për procedimin disiplinor të gjyqtarëve konformë ligjit në këtë çështje. Ju bëj me dije se reagimi i qeverisë ndaj kësaj vendimmarrje të paprecedent nuk ndalet as këtu dhe as me kaq.”

Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj, dhe Sajmir Duçkollari, mbetën të vrarë në operacionin e Policisë me 7 gusht të vitit 2009, kur efektivët e Njësisë Operacionale të Policisë së Shtetit, ndërhynë në zonën e plazhit për të arrestuar Dajtin i cili ishte në kërkim, pasi ai ishte dënuar për vrasjen e biznesmenit Agim Beqo, ngjarje e ndodhur në vitin 1999 në Tiranë.

Deri në momentin e arrestimit pak minuta pas masakrës ku mbeti edhe vetë i plagosur, Dritan Dajti kishte qenë në liri pas arratisë nga Gjykata e Tiranës në verë të vitit 2004

Loading...