“Kopraci” rikthen në skenë Koço Qëndron në moshën 92-vjeçare

Komedia “Kopraci” vepër e Molierit me regji nga Dhimitër Orgocka vjen premierë për publikun mbrëmjen e datës 1 dhjetor në skenën e teatrit “Andon Zako Çajupi” në qytetin e Korçës.

Vepra e Molierit sjell në role aktorë të trupës së Korçës, por rikthen me rolin e Harpagonit dhe aktorin e njohur Koço Qëndro, që ngjitet me këtë personazh në skenë në moshën 92 vjeçare.

Në rolet e tjera në vepër përmendim dhe Blend Arifi, Ilda Pepa, Mateus Frroku, Zamira Kitën, Blera Belliu, Refik Xhinaku, Syrja Meçe, Lazarela Deti, Valentino Hamati dhe Antonio Tole.

Një ngjarje e veçantë artistike, një nga komeditë më të bukura të Molierit  vjen këto ditë për publikun në qytetin e Korçës. Vetë teatri vlerëson pjesëmarrjen e aktorit 92 vjeçar në shfaqje.

“Harpagoni 92 vjeçar i Koço Qëndros me po të njëjtin vitalitet e profesionalizëm! Trupa e teatrit të Korçës në proces për të sjellë një nga komeditë më të bukura të Molierit. Regjisor Dhimitër Orgocka (Mjeshtër i Madh), premierë 1 dhjetor në skenën e teatrit të Korçës”, bën me dije teatri i Korçës.

Në komedinë “Kopraci” Molieri demaskon me forcë të madhe fuqinë shkatërruese të parasë dhe godet koprracinë, që ishte tipar karakteristik i borgjezisë në zhvillim. Ai e dënon si një ves të ulët me pasoja shumë negative. Harpagoni koprrac e fajdexhi jeton nën ethen e parave.

Ai ka humbur dinjitetin e ndjenjat prindërore dhe dashurinë e fëmijëve. Këta të fundit, jo vetëm që s’e duan më, por edhe e urrejnë. Harpagoni mbetet një nga figurat më negativë, antipatikë e njëkohësisht qesharake që ka krijuar pena e Molierit.

Aktori Koço Qëndro në fillim të viteve 1960 zgjidhet si një ndër aktorët themelues që krijuan trupën e Estradës Profesioniste të Korçës. Që nga krijimi i saj e derisa doli në pension, në mbi 120 premiera realizoi një mori figurash me nivel të lartë artistik, duke luajtur në llojet e shkurtra të teatrit të varietesë, si skeçe, pantomime, dialogë, monologë, parodi e kuplete.

Harpagonin te komedia “Kopraci” e Molierit, regjisor Dhimitër Orgocka, e luajti dy herë, më 1976 dhe 29 vjet më vonë, më 2005, kur edhe fitoi çmimin si “Aktori më i mirë” në festivalin “Apollon” të Fierit. Ka dhënë ndihmesën e tij edhe si shkrimtar humorist, duke shkruar skeçe e pjesë për fëmijë, që kanë merituar çmime e vlerësime. Jo vetëm në teatër por dhe në filmat shqiptarë ka dhënë një kontribut të çmuar. /a.a/j.p/

Loading...