Korça e prenotuar në ndërrimin e viteve, 500 shtretër në hoteleri të rezervuar

Kjo ishte atmosfera që ndeshëm këto ditë në qytetin e Korçës, ku mbrëmja na befasoi me imazhin e saj plot drita e gjallëri. Ishim një grup xhirimi nga ATSH, që u ndodhëm këto ditë në qytetin e Korçës për të sjellë imazhin e ndërrimit të viteve në qytetin e serenatave, ku tradita dhe kultura europiane ndihen më shumë se kudo tjetër në vendin tonë.

Dekori dhe atmosfera e krijuar në muajin e fundit të vitit, e ka shndërruar Korçën në qytetin e festimeve dhe të ngjyrave gazmore.

Qindra qytetarë e vizitorë i ndesh të shëtisin në qytetin e ndriçuar që urojnë njëri-tjetrin në prag të ndërrimit të viteve.

Takuam edhe kryetarin e bashkisë së qytetit Sotiraq Filo, i cili na foli për angazhimin e bashkisë në zbukurimin dhe mbarëvajtjen e festës së qytetit, duke konfirmuar dhe faktin se 30 njësitë e akomodimit në këtë qytet, me mbi 500 shtretër fjetjeje, tashmë janë të prenotuara për festën e ndërrimit të viteve.

Filo tha se “kjo atmosferë i shërben jo vetëm qytetit tonë, por edhe vizitorëve, të cilët nga viti në vit po vijnë dhe po kalojnë festat e ndërrimit të viteve në qytetin e serenatave. Bashkia është e angazhuar që të krijojë një ambient festiv dhe të kujdeset për gjithçka në shërbim të qytetarëve dhe vizitorëve të huaj”, – tha Filo.

Shtimi i ndjeshëm i numrit të vizitorëve vendas dhe të huaj ka bërë që bashkia e korçës të organizojë aktivitete të cilat do të jenë në aktivitet të plotë këto ditë.

Amvisat korçare kanë nisur punën për gatimet tradicionale të festës së ndërrimit të viteve. Rrugët janë të hapura për mysafirët dhe hoteleria në gatishmëri. Korça ju mirëpret!/ATSH/

Loading...