84-vjeçarja, Nazime Demollari, nga Korça u masakrua me mjete të forta nga djali i saj 64 vjeçar që tashmë është arrestuar nga Policia për krimin në familje që dyshohet se e ka kryer në gjendje të dehur.
Gjatë marrjes në pyetje, ai ka thënë se nuk mban mend asgjë pasi ka qenë në gjendje të alkoolizuar.
Nazim Demollari, 64 vjeçari korçar i arrestuar për vrasjen e nënës 84-vjeçare, ka deklaruar në Polici se nuk mban mend asgjë rreth krimit të cilin dyshohet se e kreu në gjendje të dehur.
Burime thanë se djali i akuzuar për vrasjen e nënës, ndodhet në gjendje të rënduar psikologjike, ndërsa thotë se nuk është në gjendje të kujtojë dinamikën e ngjarjes.
Por policia thotë se ka gjetur prova për krimin në familje dhe ka zbardhur dinamikën e vrasjes së 84-vjeçares, Nazime Demollari.
Sipas hetimeve, ajo nuk është mbytur siç u raportua fillimisht, por është goditur me sende të forta në kokë e trup. Për pasojë ajo gjeti vdekjen e menjëhershme.
Ishin fqinjët ata që njoftuan policinë, pasi kishin dëgjuar një debat të ashpër mes nënës e djalit, që jetonin bashkë në një apartament në lagjen 13.
Konfliktet sipas fqinjëve dhe familjarëve kanë qenë të vazhdueshme mes nënës e djalit, për shkak të përdorimit të alkoolit nga 64 vjeçari.