Numri i njerëzve të infektuar me Covid-19 në Gjermani është mbi 3,000 persona, nga të cilët 6 prej tyre kanë ndërruar jetë. Mesatarisht, dy persona për çdo 1,000 njerëz të infektuar.
Numri i vdekjeve në Gjermani dallon së tepërmi krahasuar me vende të tjera, si Kina, Italia, Irani, Koreja e Jugut, Spanja dhe Franca. Në Kinë, ka afro 39 vdekje për 1000 njerëz të infektuar, në Itali 71, në Iran 45 dhe në Spanjë 28.
Pra, si është e mundur që Gjermania ka kaq pak vdekje?
Në një konferencë për shtyp të mërkurën e kaluar, Prof.Dr. Lothar H. Wieler, president i Institutit Robert Koch në Berlin tha, “që nga fillimi i koronavirusit, i kemi bërë thirrje mjekëve që të testojnë njerëzit.”
Ai shtoi se sistemi gjerman mund të sigurojë “testimin në një shkallë të lartë.”
Wieler gjithashtu shpjegoi se ky është vetëm fillimi për Gjermaninë. “Nëse e imagjinoni epideminë si një kurbë, atëherë ka vende që janë thjesht më tej në përparimin e epidemisë.”
Ai pret që numri i viktimave të rritet, ashtu siç është rritur në vendet e tjera.
Profesoi vuri në dukje se Gjermania po shkëmben ndërkohë informacione me vendet e tjera për të mësuar në lidhje me zhvillimin e sëmundjes dhe po bashkëpunon për të lehtësuar përhapjen e virusit.
Ndërkohë një virolog italian tha se numri i ulët i vdekjeve në Gjermani është “një pyetje për të cilën askush nuk di të përgjigjet me të vërtetë”.
Giovanni Maga tha se njerëzit që rezultojnë pozitivë më koronavirus para ose pas vdekjes, cilësohen si viktima të koronavirusit. “Nuk e di nëse Gjermania apo Franca po ndjekin të njëjtat kritere,” tha ai.
Maga theksoi se strukturat e kujdesit shëndetësor në veri të Italisë janë tepër të ngjashme me Francën dhe Gjermaninë ndaj vështirë të justifikohen këto mospërputhje në numër.
Ai ra dakord me Wieler në lidhje me kurbën e përparimit të pandemisë. “Franca dhe Gjermania janë aty ku ishte Italia në fillim të muajit,”shtoi ai.
Kancelarja Angela Merkel u shpreh se pritet që të infektohet rreth 60-70% e popullsisë gjermane dhe theksoi se është e rëndësishme që të vonohet sa më shumë përhapja e virusit. Sipas saj, mund të duhet katër ose pesë vjet derisa shumica e njerëzve në Gjermani të jenë infektuar me Covid-19.