Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Majlinda Bregu thotë se për të gjithë ata që janë të lodhur nga paniku që i kap sapo kalojnë kufirin, ka një lajm të mirë.
“Ju kanë kapur dridhmat duke hapur faturën e telefonit të muajit kur keni udhëtuar jashtë vendit, jeni në kërkim të një komunikimi më të shpejtë, por më të lirë?”, shkruan Bregu në një postim në medien sociale, ndërsa jep lajmin se Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal po punon për ta bërë këtë realitet.
“Marrëveshja e re rajonale e Roaming po bëhet gati, për të përfshirë të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që do të sjellë kosto zero të roaming brenda korrikut 2021”, tha Bregu.
Sipas saj, edhe qytetarët e Ballkanit Perëndimor e meritojnë të “Flasin si n’shpi” ashtu sikundër ata të Bashkimit Europian.
“Pasi të përfundojmë këtë, rruga për reduktimin e kostove të shërbimit roaming midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të tjerëve do të hapet”, thotë ajo. E ndërkohë edhe çmimet do të ulen edhe më shumë. /atsh/