“Kush e sheh tarifën 100% me Serbinë si vendim ekonomik gabon, pasi tarifa 100% është reagim politik”.
Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive Shqipëri-Kosovë, në Pejë.
“Spektri i bllokimit të marrëveshjes së Energjisë dhe ndërprerjes së linjës 400 kV midis Shqipërisë dhe Kosovës për këtë shkak, dëshmon se ndërlidhja rajonale është peng, jo i paaftësisë së rajonit për ta konkretizuar, por i një filozofie të tërë, i një strategjie të tërë, i një qasjeje të tërë bllokuese, regresive të njërit prej vendeve, rrugëtimi historik natyral i të cilit duhet ta bënte të ndihej lokomotivë e integrimit.
“Po Romingu dhe lënia e Kosovës jashtë tij?” – shtron pyetjen Rama. “E pra, ja se si në këtë kontekst kaq të posaçëm goditjesh të vazhdueshme pas shpine ndaj Kosovës nga ana e fqinjit të madh, merr edhe shpjegimin tarifa 100% për produktet serbe. Një vendim irracional në kushte normale, por krejt normal në kushte irracionaliteti, si ato që përvijon vijimisht qasja e dyfytyrtë e Serbisë”, – shprehet Kryeministri.
Sipas Ramës, “kush e sheh tarifën 100% si vendim ekonomik, gabon”. “Jo, tarifa 100% është reagim politik. Reagim politik ndaj ekseseve të vazhdueshme të një sjelljeje suprematiste të Serbisë ndaj Kosovës”, – theksoi ai.
“Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale i qeverisë së Kosovës më tregonte mbrëmë se si në Beograd, deri në 2 të natës, me anë të të dërguarve të Europës i kërkonin të hiqte fjalën Republika e Kosovës nga fjalimi që do mbante të nesërmen në një mbledhje të përbashkët ku edhe Kosova ishte e pranishme me vullnetin e mirë për të nënshkruar një deklaratë të përbashkët në rrugën e paqtimit dhe të bashkëpunimit rajonal. “What the fuck!” – do thuhej në gjuhën e Parlamentit Europian”, – theksoi Rama.
Ne nuk mund të mohojmë, vijoi Kryeministri, se marrëdhëniet dypalëshe nuk janë gjithmonë pa vështirësi.
“Mjafton dhe shembulli mes Shqipërisë dhe Kosovës për të kuptuar se në ecurinë e këtyre marrëdhënieve ka vështirësi dhe lëre më pastaj mes Kosovës dhe Serbisë, por ama këto vështirësi janë të kapërcyeshme kur ka vullnet të mirë për të shkuar drejt një horizonti të përbashkët dhe partneriteti Shqipëri – Kosovë, në shumë aspekte, në shumë prej mangësive apo potencialeve të tij e dëshmon këtë”, – theksoi ai.
Sot, tha Rama, “ne jemi në fazën kur duhet të konkludojmë duke pasur parasysh edhe çfarë thashë më lart”.
“Zero tarifa dhe zero barriera jotarifore brenda gjashtëmujorit të parë të vitit të ardhshëm mes Shqipërisë dhe Kosovës. Nëse jemi këtu, jemi këtu për të bërë këtë e duhet ta bëjmë e nuk kemi nevojë të mblidhemi edhe njëherë. Jemi mbledhur 5 herë, sot është koha për të vënë tarifa 100% në veri dhe për të pasur tarifa zero në jug të Kosovës”, – nënvizoi Rama./atsh