Kosovë-Shqipëri, ‘një ushtri’, firmoset marrëveshja

Shqipëria dhe Kosova firmosën një tjetër marrëveshje bashkëpunimi ku përfshihet rritja e numrit të aktiviteteve të përbashkëta të ushtrisë.

Ministri i mbrojtjes në Shqipëri, Niko Peleshi, vizitoi Kosovën ku u pritur me një ceremoni të posaçme nga homologu e tij, Armend Mehaj.

Në një konferencë të përbashkët pas takimit, Peleshi tha se Tirana do ta përkrahë vazhdimisht Kosovën në të gjitha proceset euro atlantike.

“Ne gëzohemi sa herë vijmë këtu dhe Shqipëria mbetet e pakursyer ndaj Kosovës. Tash jemi prej 12 vjetësh anëtarë të NATO dhe kemi eksperiencë për ta ndarë drejt rrugës në NATO edhe Kosova.
Kosova nga importuese e paqes bëhet eksportuese e saj. Kemi edhe një lajm tjetër për rajonin që është stërvitja Defender pjesë e cilës është edhe Kosova. Është stërvitje prej 28 mijë trupave amerikane. Është mesazh i rëndësishëm për rolin që Shqipëria dhe Kosovë kanë në rajon. Integrimi i të gjithë Ballkanit është i rëndësishëm për Shqipërinë, Kosovën dhe vet Evropën.”, tha Niko Peleshi, minister i Mbrojtjes se Shqiperise.

Stërvitjet e përbashkëta ushtarake sipas Mehaj janë një nga pikat kryesore te marrëveshjes që do të ndihmojë pjesëmarrje në operacione ndërkombëtare në të ardhmen.

“Njëra prej marrëveshjes që e kemi diskutuar e arritur së bashku është realizimi i aktiviteteve të përbashkëta në nivel profesional, pra akademinë në mes dy ministrive, është koordinimi i këshillimit nga ana e ekspertizës nga Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë, rendimin e duhur në çështje politike, ushtarake, ligjore për integrimin e Republikës së Kosovës në drejtim te NATO-s dhe iniciativa rajonale.

Një pikë tjetër e rëndësisë së madhe është ngritja e stërvitjeve te përbashkëta ushtarake dhe angazhime dhe pjesëmarrje në operacione ndërkombëtare në të ardhmen”, tha Armend Mehaj, minister i Mbrojtjes ne Kosove.

Marrëveshja e re e nënshkruar në Prishtinë e rrit bashkëpunimin në një nivel më të lartë.

Loading...