Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe Drejtorin e Departamentit të Policisë Kriminale, Tonin Vocaj, Drejtorin e Departamentit për Sigurinë, Gjovalin Loka me një grup të madh drejtuesish të tjerë të Policisë së Shtetit, dhuruan gjak në ndihmë të fëmijëve talasemikë.
Doktori i qendrës së dhurimit të gjakut ka falënderuar Drejtor Veliun dhe drejtuesit e tjerë të Policisë, për ketë gjest nga më humanët, në këtë situatë kaq të vështirë, për mbështetjen e fëmijëve talasemikë dhe u ka bërë thirrje të gjithëve që të dhurojnë gjak.
Drejtor Veliu është shprehur:
“Së bashku me një grup të madh kolegësh të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, duke vlerësuar situatën dhe nevojën për dhurim gjaku, iu përgjigjëm thirrjes, erdhëm dhe dhuruam gjak. Slogani dhuro gjak, shpëto jetë është më kuptimplotë dhe shpreh atë që çfarë duhet të bëjë çdo qytetar dhe çdo individ i cili e ndjen se duke dhuruar gjak shpëton një jetë”.
Disa ditë më parë, 15 punonjës të Forcës “Shqiponjat” dhe zëdhënësi i Policisë së Shtetit dhuruan gjak në ndihmë të fëmijëve talasemikë.
Edhe në ditët e ardhshme, krahas angazhimit maksimal për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe për monitorimin e zbatimit të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19, shërbimet e Policisë do të vijojnë të japin gjak, për të shpëtuar jetën e fëmijëve talasemikë.
#solidaritetendihmëpërfëmijëttalasemikë