Krimet e Rënda zgjasin hetimet për Saimir Tahirin

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka zgjatur hetimet me tre muaj për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Afati për përfundimin e hetimeve për ish-ministrin skadoi dje më 17 janar.

Shkak për shtyrjen e hetimeve, me sa duket janë bërë letër-porositë. Më herët, prokurorët e dosjes kanë dërguar letër-porosi në Itali, ku kërkojnë informacione nga prokuroria e Katanias dhe një tjetër në Malin e Zi, por përgjigjet e tyre, sipas prokurorisë, ende nuk kanë mbërritur.

Hetimet ndaj ish-ministrit nisën në tetor të vitit të kaluar, ndërsa Prokuroria e Krimeve të Rënda ka zgjatur disa herë afat e hetimet, pasi nuk ka mundur të sigurojë të gjitha provat që implikojnë Tahirin në trafikun e drogës me Habilajt.

Në 12 Maj, Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda caktoi masën e sigurisë arrest shtëpie për Tahiri, vendim i cili u prish nga Gjykata e Apelit dy javë më vonë.

Aktualisht Saimir Tahiri po hetohet në gjendje të lirë. Ish-Ministri i Brendshëm akuzohet se ka bashkëpunuar me grupin e Habilajve për trafikim të lëndëve narkotike dhe shpërdorim detyre. Pavarësisht akuzave, Tahiri gjithmonë i ka mohuar ato. Ndërsa prokuroria e Katanias pak muaj më parë vendosi pushimin e hetimeve pasi nuk gjeti prova për përfshirjen e Tahirit në trafikun e drogës.

Loading...