Kritikët duan ‘kokën’ e Bashës: Dorëhiqu si Berisha!

Kundërshtarët e Lulzim Bashës duan me patjetër dorëheqjen e tij. Demokratët që kanë nisur lëvizjen “Basha boll”, në një deklaratë për mediat, kërkojnë që kryedemokrati të veprojë njësoj i Sali Berisha.

“Jemi të vetëdijshëm se përgjegjësia për zgjedhjet është përgjegjësi politike e drejtuesve të lartë të partisë. Në politikë një drejtues mban përgjegjësinë e dështimit, pavarësisht nga arsyet e dështimit. Kryetari i Partisë Demokratike dhe drejtuesit e lartë të partisë duhet të marrin përgjegjësitë për këtë humbje kaq të rëndë. Partia Demokratike ka shembull të një sjelljeje politike e qytetare. Z. Sali Berisha, dhe drejtues të tjerë të lartë të saj morën përgjegjësinë dhe vendosën një standard. Largimi, dorëheqja e parevokueshme e z. Basha, jo vetëm nuk është fundi i PD-së por është fillimi i ringritjes së saj. Ai i detyrohet partisë.”
Ata kërkojnë hapjen e partisë dhe bashkimin e figurave demokrate. Vetëm në këtë mënyrë, sipas tyre, mund të ndodhë reformimi i PD dhe daljen e saj nga kriza.

“PD duhet t’i kthehet rrënjëve të saj, traditës më të mirë të saj dhe të shikojë nga e ardhmja për një vend të lirë e modern: të lirë nga krimi dhe korrupsioni, të lirë nga kapja e partive dhe institucioneve nga një grusht njerëzish. PD duhet të korrigjojë edhe gabimet e veta dhe të orientohet pa mëdyshje nga liria e individit, familja, tregu, prona, shoqëria, autonomia lokale, demokracia partiake. Ne propozojmë një reformim të thellë të Partisë Demokratike, modelin e hapjes dhe bashkimit, kthimin në një progam të qartë të së djathtës konservatore moderne, ndryshimet statutore që t’i hapin rrugën përfaqësimit brenda partisë dhe të zgjedhurve të saj, debatit të lirë dhe ringritjes së dinjitetit të anëtarit dhe institucioneve të saj, primareve për demokratët brenda dhe jashtë vendit. Kjo PD mund ta nxjerrë vendin nga kriza politike. Kjo PD mund të përfaqësojë interesin qytetar dhe interesin e vendit.Vetëm kjo PD mund të fitojë.”

Loading...