Kryemadhi: Edi Rama të shpëtojë veten dhe familjen e tij ose ndryshe do ta ngrenë zgupthi gratë shqiptare.

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka dhënë mesazhe të forta nga takimi me strukturat në Elbasan. Ajo paralajmëroi vazhdimin e protestave, jo vetëm të studentëve. Kryemadhi i bëri thirrje kryeministrit ‘Edi Rama të shpëtojë veten dhe familjen e tij ose ndryshe do ta ngrenë zgupthi shqiptarët, gratë shqiptare’.

Kryetarja e LSI u bëri thirrje të gjithë drejtuesve të partisë së saj, që edhe natën e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, të dalin deri më derë për të folur me njerëzit, e për t’i zgjuar, në mënyrë që kjo klikë sipas saj, të rrëzohet.

“Çdo ditë pa ndalim, edhe natën e Krishtlindjeve e Vitit të Ri, nga mëngjesi në darkë, derë më derë me njerëzit për t’i sensibilizuar, me socialistët për t’i zgjuar e për ta përmbysur këtë klikë kriminale e cila çdo ditë e më shumë po ia pi gjakun shqiptarëve. Rama nuk ikën, do ta largojmë ne sepse shqiptarët janë ata që e ndjejnë dhimbjen më të madhe”, tha Kryemadhi.

Ajo deklaroi se studentët janë në të drejtën e tyre dhe se Rama mund të plotësojë kërkesat e tyre me 1/3 e parave që iu ka falur oligarkëve me miratimin e ligjit të ri për tatimin.

“Studentët janë në të drejtë të Zotit, në të drejtë të tyre, janë kërkesat më minimale. Nuk pranon Edi Rama të plotësojë kërkesat e studentëve sepse e gjithë paketa është 100 mln euro, por ditën e enjte Rama i fali me qindra miliona euro 5 apo 10 vetave, oligarkë që nuk i kanë paguar buxhetit të shtetit. 1/3 e këtyre parave dalin që studentët shqiptarë të jetojnë si të gjithë studentët në Europë. Por Edi Ramës nuk i dhimbsen studentët shqiptarë dhe rinia shqiptare sepse nuk do kishte emigruar siç ka emigruar. Është shumë e thjeshtë urrejtja që ka Edi Rama për Shqipërinë dhe shqiptarët”, deklaroi Kryemadhi.

Kryetarja e LSI foli edhe për ish-ministrat e LSI-së që votuan dje vettingun në politikë, duke i cilësuar të ndershëm dhe të pastër.
“Ata njerëz që votuan dje vettingun, ata njerëz të LSI-së që kanë qenë në pushtet dhe janë sot në LSI, janë të ndershëm dhe të pastër dhe janë dinjiteti ynë. Për të gjithë ata që e kanë përdorur si trampolinë LSI dhe sot janë pjesë e tepsisë, janë turpi i LSI-së. Ata që nuk votuan vettingun treguan që ata janë hajdutët, janë kriminelët, janë ata që nuk duan integrimin.
Vota dje në parlament tregoi që PS është e kapur nga një sekt kriminal”, deklaroi Kryemadhi.

Ajo i premtoi studentëve se LSI nuk do të ndalet.
“Unë ju jap fjalën time dhe gjithë atyre djemve e vajzave që kanë qenë pjesë e protestave të studentëve që nuk do të ndalemi. Nuk do të ndalemi deri sa Edi Rama të plotësojë kërkesat e studentëve.

Edi Rama o të shpëtojë veten dhe familjen e tij, ose shqiptarët do ta ngrenë zgupthi, jo burrat por gratë shqiptare sepse e kanë ndarë mendjen për të ndërtuar familjen e tyre në Shqipëri”, tha Kryemadhi.

(BalkanWeb)

Loading...