Kryemadhi: Klevis Balliu, nuk do të garojë me LSI-në në zgjedhjet e 25 Prillit

Kryetarja e Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ka deklaruar se Klevis Balliu, i përjashtuar tashmë nga listat e PD-së për deputet, nuk do të garojë me LSI në zgjedhjet e 25 prillit.

Në një intervistë për Report Tv, Kryemadhi ka thënë se në Partinë e saj janë përzgjedhur koordinatorë politikë, të cilët sipas saj janë jo vetëm koordinatorë politikë për përgatitjen e axhendës elektorale, por edhe për ngritjen e grupeve të punës gjatë fushatave elektorale.
“Në fakt unë Klevisin e njoh që fëmijë. Klevisi është anëtar i PD-së, nuk është anëtar i LSI-së dhe këtu nuk është problemi që ne t’i bëjmë karshillëk njëri tjetrit.

Unë jam e bindur që vlerësimin e Partisë Demokratike të Klevis Balliut nuk ka ngelur që t’ia bëjmë ne, por t’ia bëjë vetë kryetari i saj dhe PD-ja.

Unë nuk mendoj se të qënurit në listat e deputetëve është po themi gjë e domosdoshme.

Ajo që është shumë e rëndësishme është që listat e LSI-së, do të jenë lista të cilat do të vijnë pas një lloj procesi, jo vetëm të përfshirjes së anëtarësisë, por edhe të opinionit publik, edhe të leximit të kandidatëve të mundshëm që mund të ketë LSI-ja në qarqe të mundshme.

Ne kemi përzgjedhur koordinatorë politikë, të cilët janë jo vetëm koordinatorë politikë për përgatitjen e axhendës elektorale, por edhe për ngritjen e grupeve të punës gjatë fushatave elektorale, të cilët jo vetëm marrin angazhimin e tyre nëpër struktura, por edhe një angazhim të gjithë përfshirjes së gjithë elementëve që i duhen një partie politike në fushatë elektorale.

Sepse mund të jesh simpatizant, por nuk do të jesh anëtar i partisë.

Mund të jesh militant që punon në fushatë dhe je mjaft aktiv, por nuk do të jesh i përfshirë në listat e deputetëve.

Për një gjë ju garantoj, që ne do të jemi shumë të kursyer për sa i përket biznesmenëve, me lidhje të forta me bizneset apo ata që kanë qenë edhe përfitues me tenderë publik, që nuk do të jenë pjesë në listat tona. ” – tha Kryemadhi.

Loading...