Kryemadhi nga vlora:”Socialistët do dynden drejt LSI-së”

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi shprehu bindjen se pas Asamblesë së PS-së të zhvilluar dje, do të ketë një dyndje të socialistëve drejt LSI-së. Sipas saj, socialistët janë të pakënaqur me kryeministrin Edi Rama.

Deklaratën, Kryemadhi e bëri nga Vlora, gjatë një takimi me strukturat e LSI-së atje.

“Ne të gjithë e shikojmë që qeveria e Surrelit ka rënë, por përveç se ka rënë qeveria e Surrelit, njerëzit që ndihen më të frustruar, më të nervozuar dhe më të inatosur, janë socialistët e ndershëm. Sepse janë ata të cilët ndihen të përdorur dhe të shfrytëzuar.

Janë socialistët e ndershëm të cilët e kanë të domosdoshme riorganizimin e PS. Por ata nuk mund të presin riorganizim nga një sekt kriminal. Por ata janë të gatshëm sot për të vepruar.

Dhe veprimi i tyre është për të rrëzuar këtë qeverisje, e cila nuk është gjë tjetër veçse një strukturë kriminale që mundohet të mbulojë me parfum erën e keqe.

Prandaj ju bëj thirrje sot që detyra e LSI në Vlorë, nuk është thjesht për të organizuar strukturat e saj në të gjithë Bashkinë e Vlorës por për të hapur dyert dhe për tu bërë mikëpritës të gjithë atyre socialistëve të ndershëm të cilët nuk e gjejnë më vetën pranë këtij sekti kriminal”, tha Kryemadhi.

Të jeni të bindur që pas ngjarjeve të djeshme, mbas asamblesë së djeshme do të ketë një dyndje të socialistëve drejt LSI.

Sepse vetë LSI është e themeluar nga ata socialistë të cilët nuk pranuan arrogancën e qeverisjes socialiste në 2004 dhe themeluan një parti të majtë që kishte në thelb të saj solidaritetin dhe social demokracinë, që kishte në thelb të saj, dhënien e dorës ndaj mikut, suportimin dhe mbrojtjen ndaj të varfërve dhe rritjen e ekonomisë shqiptare sidomos për shtresën e mesme sepse e dimë të gjithë që Shqipëria nuk ka të pasur në gjirin e saj.

Shqipëria ka vetëm një grusht oligarkësh që përdorin paratë e buxhetit të shtetit, për të pasuruar dhe për të fuqizuar xhepat e Edi Ramës. Por pjesa më e madhe e shqiptarëve janë të varfër.

Janë të varfër sepse e kanë pamundur sot, jo vetëm të paguajnë dritat, ujin taksat që janë ngritur në stratosferë dhe aq më shumë të fillosh dhe të flasësh qoftë për pushime apo qoftë edhe për krijimin e mundësive të reja për fëmijët tanë”, tha Kryemadhi.

Në fund të fjalës së saj, uroi Vitin e Ri dhe dha bëri jnë apel për bashkim:

“Vetëm të gjithë duke u bashkuar dhe duke pasur besimin në Zot, unë jam e bindur që këtë realitet i cili po fillon të ndryshojë ne do ti kemi shanset dhe mundësitë, për ti rikuperuar dhe për ti rikthyer dinjitetin institucioneve shqiptare.

Për ti kthyer dinjitetin dhe fytyrën Shqipërisë dhe mbi të gjitha shqiptarëve”.

Loading...