Kryemadhi: “Nuk duhet të lejojmë të keqen të vrasë ëndrrat”

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka përkujtuar sot 75-vjetorin e çlirimit të Tiranës. 

Përmes një mesazhi në “Facebook” Kryemadhi tha se kjo ditë është amanet i gjakut të dëshmorëve.

“Tirana antifashiste sot është në 17 nëntorin e 75-të të çlirimit prej pushtuesve nazifashistë dhe bashkëpunëtorëve të tyre, është në ditën e madhe të lirisë, që u arrit me aq shumë luftë, sakrifica, privacione dhe heroizëm popullor.

75-vjet më parë, partizanët e lirisë dhe populli i kryeqytetit i bërë njësh me ta, shënuan një nga betejat më të mëdha dhe më të lavdishme të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, betejën për çlirimin e Tiranës së barrikadave, që qe preludi i bukur i çlirimit të të gjithë Shqipërisë.
Ndaj sot, nderimi më i thellë dhe mirënjohja më e madhe shkon për partizanët e lirisë, për bijat dhe bijtë e paharruar që dhanë jetën dhe derdhën gjakun e tyre në themelet e lirisë së Tiranës antifashiste, që është kryeqyteti i vetëm në Europë i çliruar pa praninë e ushtrive të huaja.
Por, një nderim dhe mirënjohje e madhe shkon për të gjithë popullin e Tiranës, që me vetmohim, përkushtim dhe heroizëm shembullor, jo vetëm iu bë krah luftës partizane, por u bashkua me të, luftoi e sakrifikoi rrugë më rrugë, barrikadë më barrikadë e shtëpi më shtëpi, deri në agimin e lirisë.
17 nëntori i çlirimit të Tiranës nuk është vetëm ditë nderimi dhe feste. Është edhe amanet i gjakut të dëshmorëve, për ta dashur dhe mbrojtur Tiranën dhe Shqipërinë, e për të mos e lejuar të keqen të vrasë ëndrrën e tyre për liri dhe demokraci, për një jetë më të mirë dhe të sigurtë në në këte vend dhe këtë tokë që quhet atdhe dhe që është shtëpia jonë!
Pikturë e të mirënjohurit Bukurosh Sejdini “Agimi i 17 nëntorit 1944”, shkruan Kryemadhi.

Loading...