Kryemadhi: “Unë mendoj që Shqipëria nuk ka më nevojë për lider të fortë.Ne kemi nevojë për një sistem, i cili u del garant qytetarëve të tij”

LSI, Monka Kryemadhi ndodhet ditën e sotme në Alto Adige të Italisë ku jetojnë rreth 4000 shqiptarë.

Teksa zhvilloi një bashkëbisedim me shqiptarët që ndodhen në këtë rajon, kryetarja e LSI, foli dhe për krizën politike në Shqipëri.

Ajo u shpreh se të rinjtë duan të largohen nga Shqipëria pasi nuk ofrohen kushtet që duhen, ndërsa shtoi se vendi nuk ka nevojë për lider, por për ndryshim sistemi.

“Bashkë me Përparimin, Viktorin dhe me shumë ish-deputetë kemi lëvizur në të gjithë Shqipërinë.

Po flas për zonën e Dibrës ishin në shumë fshatra të braktisura, kishin vetëm pleq dhe plaka dhe nuk gjeje dot një djalë apo një vajzë të re. 82% e gjimnazistëve të Shqipërisë duan të ikin nga Shqipëria.

70% e fëmijëve në shkollat fillore nuk duan të jetojnë në Shqipëri. Që do të thotë që në Shqipëri nuk do të ketë më mësues, nuk do të ketë më mjek, inxhinier, hidraulik, elektriçist, nuk do të ketë më shofer taksish, nuk do të ketë më njerëz që do të punojnë në administratë.

Unë mendoj që Shqipëria nuk ka më nevojë për lider të fortë. Ne kemi nevojë për një sistem, i cili u del garant qytetarëve të tij.

Përderisa ne të gjithë paguajmë taksa, si nga i pari deri tek i fundit, nuk ka përse sistemi të mos u përgjigjet qytetarëve të tij.

Prandaj ne kemi nisur një tur, jo për të dhënë mendimet tona, po më shumë për të dëgjuar. Sepse mendojmë se është shumë e rëndësishme për t’i dëgjuar njerëzit.”-tha Kryemadhi/ Opinion.al

Loading...