Pas replikës që i bëri ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka hedhur sërish akuza ndaj saj.
Kryemadhi e ka vijuar përplasjen me ministren e Drejtësisëduke i kërkuar asaj që të mos bëjë rolin e virgjëreshës.
“Ne nuk e shantazhojmë, atë por ajo nuk mund të marrë pozicionin e virgjëreshës kur i dimë shumë mirë pozicionet dhe kapjen e saj. Nëse një shqiptar harxhon vite për të fituar të drejtën në gjyq për t’u kthyer në vendin e punës, bashkëshorti i saj u kthye me një gjyq që u bë brenda një jave. Nuk mund të kenë shqiptarët një tjetër standard për burrin e Etildës dhe tjetër për shqiptarët”- tha Kryemadhi.
Akuza e Kryemadhit për Gjonajn që u bënë dje në Kuvend:
““Nuk po merrem sot me ministren e Drejtësisë sepse nuk qenka këtu në sallë. Por meqenëse ajo paska dëshirë shumë të madhe për të luftuar korrupsionin, po i bëj me dije asaj dhe kryetarit të Komisionit të Ligjeve, që shantazhet ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve quhen shkelje e ligjit.
Dhe shumë shpejt do ta ketë të faktuar sesi ajo shantazhon gjyqtarët dhe prokurorët për të arrestuar punonjës të Ministrisë së Drejtësisë, se vetëm në këtë mënyrë do të largojë punonjësit nga Ministria, sepse me gjyq janë kthyer të gjithë në punë. Dhe gabimisht ka futur në listë edhe motrën e sekretares së përgjithshme të njeriut të saj, apo edhe shumë të tjerë bashkëshortë deputetësh këtu në sallë që janë të Partisë Socialiste. A e ka luftë personale të saj apo e ka nga budallallëku, unë për hir të së vërtetës nuk e kam sulmuar duke pasur parasysh që është kushërira e një lidhje familjare të Ilir Metës, për shkak të lidhjeve të mia familjare me të.
Por po i bëj me dije që nuk ka asnjë lloj mënyre që mund ta mbrojë Ministren e Drejtësisë duke shantazhuar punonjësit e saj, sepse ajo mund ta dijë shumë mirë që korrupsionin e ka brenda në shtëpinë e saj, në familjen e saj, le ti tregojë shqiptarëve pse është pushuar disa herë burri i saj nga Drejtoria e Tatimeve. Le ti tregojë shqiptarëve cilat janë lidhjet e bashkëshortit të saj me Elvis Martinaj apo dhe me shumë pika të tjera të basteve. Dhe le tu tregojë shqiptarëve cila është lidhja e saj me pjesëtarë të qeverisë apo dhe me avokatët e saj që ka në Kosovë.
Prandaj i them znj. Etilda Gjonaj që të jetë shumë e kujdesshme në telefonatat e saj apo dhe në mesazhet që ju çon gjyqtarëve dhe prokurorëve. Sepse vërtetë SPAK-u do të ngrihet shumë shpejt por të jetë e bindu që SPAK-u do ta fillojë me ata të cilët kanë tentuar që ta kapin atë. Sepse SPAK-u është i domosdoshëm për hapjen e negociatave në Shqipëri dhe po të mos hapen negociatat, Shqipëria do të shkojë mbrapa”, tha Kryemadhi.
Pergjigja e Gjonajt per Kryemadhin
Për fat të keq u njoha përmes medias me disa deklarata dhe akuza të bëra pak me herët në këtë sallë nga deputetja Kryemadhi, për shkak se më duhej të isha present në një takim që organizohej me ambasadorët dhe të gjithë përfaqësitë diplomatike në Shqipëri, për të raportuar për zbatimin e reformës në drejtësi.
Kur dëgjova me pas akuzat e bëra nga deputetja Kryemadhi ndaj meje, një pjesë e të cilave ishin në formën e drejtpërdrejtë të një shantazhi personal.
Nuk është hera e parë që në këtë sallë dëgjohen fjalime të mbushura me shpifje dhe trillime.
Por ndihem e keqardhur dhe është e turpshme që përflitet për herë të kush e di satë, bashkëshorti apo familja ime.
Janë në të drejtën e tyre të zgjedhin mënyrën që ju duket më efikase për të bërë opozitë por është e turpshme që në këtë sallë parlamenti si përfaqësues i qytetarëve, që duhet të ekzistojë debati në interes të qytetarëve, zëvëndësohet me sulme dhe shantazhe të nivelit personal dhe familjar.
Unë nuk jam këtu për tu marrë me familjarët tanë, as nuk jemi këtu për lidhjet familjare ose farfisnore që kemi me njëri tjetrin sepse ky nuk është vëndi që I shërbehet intersave tona dhe të familjarëve tanë, por është vendi ku I shërbehet interesave të qytetarëve.
Është e vërtetë që bashkëshorti im ka mbajtur një pozicion inspektor kontrolli në Drejtorinë e Rajonale Tatimore Tiranë për një periudhë 10-vjeçare, i cili është larguar nga shërbimi civil me një vendim administrativ nga Drejtoria e Përgjithshme Tatimore para tre vjetësh, por që ka ndjekur rrugën ligjore dhe është kthyer me vendim gjykate të formës së prerë në pozicionin që ka patur dhe as më shumë e as më pak vetëm në pozicionin si inspektor në Drejtorinë e Përgjithshne të Tatimeve.
Nuk ka pasur asnjëherë të vetme një akuzë për korrupsion dhe nuk është larguar nga detyra për këtë shkak dhe kushdo që është i interesuar mund ta hetojë. Bashkëshorti im s’ka lidhje as me bandat dhe as lojërat e fatit apo subjekte që janë nën hetim për këto vepra penale dhe kushdo është i lirë ta verifikojë këtë. Përdorimi për shantazh është totalisht i papranueshëm.