Kryeministri Edi Rama vizitoi sot një nga fabrikat më të reja të prodhimit të barnave, “Noval”, që garanton standardet më të larta të prodhimit të medikamenteve, një investim prej 20 milionë eurosh e që synon të dalë edhe në vendet europiane.
Kryeministri Edi Rama u shpreh se qeveria po vlerëson edhe mundësinë e një bashkëpunimi mes kësaj kompanie dhe Agjencisë Kombëtare të Ushqimit (AKU), në mënyrë që të gjitha produktet ushqimore të prodhuara në vend të marrin vulën e cilësisë dhe të sigurisë nga ky laborator modern.
“Do ishte vërtet shumë me interes, edhe reciprok, që të shikojmë mundësinë e një projekti bashkëpunimi me laboratorin tuaj, që është në standardet më të larta europiane për sigurinë ushqimore, një projekt bashkëpunimi mes AKU-së dhe jush, që do të na garantonte rezultate spektakolare dhe njëkohësisht transparencë të madhe në raport me të gjithë prodhuesit dhe tregtuesit, në mënyrë që të mos kemi shumë fjalë e diskutime dhe për më tepër është shumë e rëndësishme dhe në kuadrin e të gjithë këtyre lehtësimeve që duam të bëjmë në pikat kufitare me Maqedoninë e Veriut, me Kosovën, me Malin e Zi për të pasur njohje reciproke të rezultateve. Pra, nëse shkon një produkt me certifikatën tuaj s’kanë çfarë i kontrollojnë më ata. Kjo na vendos në pozita shumë pozitive dhe në raport me Bashkimin Europian që e ka kërkesë shumë strikte sigurinë ushqimore”, – u shpreh Kryeministri Rama.
“Ne kalojmë Kodin Penal në Parlament këtë sesion, me masa shumë drastike për sigurinë ushqimore. Do të goditen shumë rëndë të gjithë ata që abuzojnë dhe nga ana tjetër duhet t’u japim edhe mundësinë që të gjykohen në mënyrë të pakontestueshme nga pikëpamja shkencore”, – nënvizoi Kryeministri.
Ndërkohë investitori u shpreh se “investimi ka 6 vjet që ka filluar dhe tani është drejt përfundimit”. “Në tetor presim të fillojmë me pjesën e repartit të ampulave, pastaj kemi të tabletave. Brenda 6-mujorit të parë të 2020-ës mund të marrim certifikatën e prodhimit. Ka shumë kërkesa nga vendet Perëndimore, Gjermani, Belgjikë. Janë 40 punonjës. Mendojmë të shkojmë te 150 persona”, – shprehet ndër të tjera investitori.
Sipas ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, investime të tilla do t’i japin një hov të ri tregut farmaceutik në Shqipëri, duke ofruar njëkohësisht ilaçe me çmime më të ulëta.
“Sot në Shqipëri ne kemi 6 kompani, të cilat janë të licencuara për të prodhuar. Ne kemi një treg rreth 199 milionë euro në vit, ndërkohë që tregtojmë nga prodhimi vendas 22 milionë euro. Kompani të tilla janë një vlerë e shtuar jo vetëm për nga pikëpamja e alternativave që ato do krijojnë në tregun vendas, por gjithashtu edhe sa i përket tregut të huaj, sepse do të vijë në kosto më të ulëta”, – tha ndër të tjera ministrja Manastirliu, duke shtuar se aktualisht mbi 70% e barnave, të cilat tregtohen në Shqipëri, janë me certifikata të prodhimeve europiane.
Fokusi i kompanisë është cilësia dhe siguria e lartë e produktit, gjë për të cilën është ngritur edhe një laborator me pajisje të fjalës së fundit të teknologjisë, i cili do të shfrytëzohet edhe për analizat e produkteve ushqimore.
“Kjo është një nga ato fabrika që ka të inkorporuar një laborator të sigurimit të cilësisë, i cili është i certifikuar tashmë dhe garanton analiza sa i përket përbërjes së barnave dhe një seri analizash të tjera sa i përket sigurisë ushqimore dhe mjedisore,” shprehet ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.
“Jemi të fokusuar në cilësinë e sigurinë si të barnave dhe atë ushqimore dhe mjedisore. Kryesisht jemi të fokusuar për përcaktimin e adektivëve në ushqime, pesticideve, metaleve të rënda që janë pikat kritike për sa i përket këtyre parametrave. Pajisjet janë të fjalës së fundit, prodhime të 2018-ës dhe 2019-ës”, – shprehet menaxherja e cilësisë së kompanisë./atsh
blob:https://www.facebook.com/7c817617-51f6-4f6a-bd7b-500350d220d8