Kryeministri Rama mëngjesin e sotëm në mbledhjen e qeverisë theksoi se do të kemi shkurtime drastike të shpenzimeve të parashikuara për vitin 2020, por pa prekur, sipas tij nivelin ekonomik të popullsisë.
Rama tha se asnjë shpenzim i parashikuar për zyra, blerje makinash, orendish etj. nuk do të bëhet. “Zero shpenzime të këtij lloji”,- nënvizoi kryeministri.
Gjithashtu kryeministri shtoi se do të bëhet një lagje e shkëlqyer e re në Durrës, krejtësisht europiane si dhe një lagje e re në Tiranë, e madhe, e shoqëruar edhe me dy lagje të tjera të reja. Në lidhje me shpenzimet e bashkive, të parashikuara në projektbuxhetin e vitit 2020, kryeministri tha me ironi se nëse kryetarët e bashkive mbesin pa makina atëhere le të marrin kuaj dhe të lëvizin nëpër qytet apo ish-komuna!
“Asnjë shpenzim”,- e ritheksoi Rama.
Sot iki në Londër në Samitin e NATO-s dhe do të kërkoj ndihmë për tërmetin”,– zbuloi Rama në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë. “Ndryshimet në buxhet do i bëjmë drejtpërdrejt përmes parlamentit në komisionin e Ekonomisë dhe më pas në seancë.
Më duhet që së bashku me ministrin e Mbrojtjes dhe Cakajn sot të shkojmë në Londër, ku jemi në Samitin e NATO-s, kemi një detyrë plus përveç samitit që të bisedojmë me të gjithë homologët, unë me liderët e vendeve anëtare dhe ministrat dhe homologët për asistuar në nevojën për solidaritet të drejtpërdrejt financiar dhe teknik. Ministrja e Arsimit shpresoj që të jetë gati po ashtu edhe e Shëndetësisë për letrat me dëmet. Sistemi i koordinimit të ndihmave është plotësisht nën kontroll”,- tha Rama.