Kryeprokurori Olsian Çela ka zhvilluar sot një takim me prokurorët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Takimi i Çelës me prokurorët e Krimeve të Rënda vjen pak ditë pas shkrirjes së këtij institucioni, për shkak të ngritjes së Strukturës së Posaçme (SPAK), që do të hetojë korrupsionin në nivele të larta.
Takimi mes kryeprokurorit Çela dhe prokurorëve ka qenë përshëndetës, pasi këta të fundit janë transferuar në prokurori të tjera në Tiranë dhe rrethe.
Ja njoftim për shtyp i Prokurorisë për këtë takim
Prokurori i Përgjithshëm z.Olsian Çela takim në Prokurorinë e Krimeve të Rënda
Prokurori i Përgjithshëm z.Olsian Çela realizoi sot një takim në ambientet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda me prokurorët e kësaj prokurorie përpara përfundimit të aktivitetit nga ana e saj. Ai u shprehu atyre vlerësimet maksimale për punën e kryer përgjatë 15 viteve të funksionimit të saj, duke theksuar se Prokuroria e Krimeve të Rënda ka qenë model për rajonin dhe ka arritur rezultate të rëndësishme në luftën ndaj krimit të organizuar.
Prokurori i Përgjithshëm z.Olsian Çela vlerësoi lart profesionalizmin e tyre dhe shprehu besimin se eksperienca që ata kanë do të jetë shumë e vlefshme për prokuroritë ku ata do të vazhdojnë të ushtrojnë funksionet. Njëkohësisht ai vlerësoi pozitivisht vendimet e Këshillit të Lartë të Prokurorisë për transferimet e prokurorëve të kësaj prokurorie, si shenjë e mbështetjes dhe vlerësimit që ky organ dha për karrierën e prokurorëve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Prokurori i Përgjithshëm z.Olsian Çela vuri theksin gjithashtu edhe tek kuadri i ri ligjor në të cilin veprojnë prokurorët, ku pavarësia u cilësua si elementi thelbësor që do të karakterizojë punën e prokurorëve. Ai siguroi se do të jetë mbështetës dhe garant i kësaj pavarësie.
Mes të tjerash Prokurori i Përgjithshëm z.Çela u shpreh se rezultatet e hetimit nëçështjet që lidhen me pasojat e tërmetit të 26 Nëntorit nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës janë provë e funksionimit të pavarësisë reale të prokurorëve dhe vlerësoi punën e tyre në këtë drejtim.
Në fund ai u uroi suksese në karrierën e mëtejshme prokurorëve, duke shprehur besimin se kontributi i tyre do të jetëi rëndësishëm për rritjen e besimit të publikut tek drejtësia.
Zyra e Shtypit pranë Prokurorit të Përgjithshëm